Trajneri Arne Slot ka sugjeruar se Liverpooli po pëson gola në minutat e fundit këtë sezon për shkak të mungesës së opsioneve në skuadër dhe ngarkesës së madhe mbi të njëjtët lojtarë.
Liverpooli këtë edicion ka lëshuar shumë pikë duke pësuar gola të vonshëm, kësisoj edhe “Reds” tashmë janë në garë për një vend në Ligën e Kampionëve.
Slot është arsyetuar se lojtarët janë të lodhur prandaj edhe nuk po mbesin të përqendruar deri në fund.
“Nëse shikoni 15, 20 apo 25 lojtarët me më shumë minuta këtë sezon, shumë prej tyre janë nga skuadra jonë”.
“Kjo tregon shumë dhe është një nga arsyet pse kemi qenë paksa të paqëndrueshëm, ndoshta edhe pse kemi pësuar kaq shumë gola në fund të ndeshjeve, sepse janë gjithmonë të njëjtët lojtarë”.
Ai pranoi se eliminimi nga garat evropiane i jep skuadrës më shumë kohë për stërvitje, por nuk e sheh si diçka pozitive.
“Ndoshta nga një këndvështrim është mirë që nuk jemi më në Evropë, por unë do të preferoja patjetër të luanim në Evropë, sepse kjo i jep energji grupit, sidomos kur arrin deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.
“Nuk e shoh si diçka pozitive që jemi jashtë, por kjo është realiteti dhe tani kemi më shumë kohë për stërvitje.”
Në një masë të madhe, situata lidhet edhe me lëndimet, por lojtarë si Curtis Jones, Federico Chiesa dhe Rio Ngumoha raportohet se janë ndjerë të anashkaluar, pasi Slot ka zgjedhur të mos i përdorë shpesh gjatë këtij sezoni./Telegrafi/






