E ardhmja e Armando Broja vazhdon të mbetet e paqartë, por një gjë duket e sigurt, largimi i tij nga Burnley është gjithnjë e më i mundshëm.
Edhe pse nuk përjashtohet mundësia e një huazimi, sulmuesi shqiptar pritet të ndryshojë ambient gjatë afatit kalimtar të verës, pasi nuk ka arritur të gjejë vazhdimësinë e dëshiruar në klubin anglez.

Së fundmi, gazetari i njohur italian Gianluca Di Marzio raportoi se Cagliari po e ndjek me interes situatën e Brojës dhe po shqyrton mundësinë e transferimit të tij.
Ndërkohë, sot ka ardhur një tjetër lajm nga Italia. Sipas gazetarit Nicolò Schira, edhe Udinese është futur në garë për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares së Shqipërisë.
Broja ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij në formë huazimi, duke veshur fanellat e disa klubeve në Angli përpara se Burnley të vendoste të investonte për kartonin e tij pas largimit nga Chelsea.
Megjithatë, aventura e tij te Burnley nuk shkoi sipas pritshmërive. Sulmuesi shqiptar hasi vështirësi për t’u përshtatur dhe nuk arriti të siguronte hapësirat e nevojshme për të treguar potencialin e tij.
Një transferim në Serie A mund të përfaqësojë një mundësi të re për 24-vjeçarin, i cili synon të rikthejë formën e tij më të mirë dhe të fitojë më shumë minuta në fushë. Interesimi i Cagliarit dhe Udineses tregon se Broja vazhdon të vlerësohet në tregun italian, ndërsa javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij. /Telegrafi/





