Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar për një prurje të re në radhët e saj.
Kryetari i saj, Bedri Hamza ka bërë të ditur se në parti i është bashkuar aktivistja dhe ish-politikanja Aida Dërguti.

Në një deklaratë publike, Hamza e ka mirëpritur Dërgutin, duke theksuar angazhimin e saj afatgjatë në çështje publike dhe shoqërore.
“Sot e mirëprita në Partinë Demokratike të Kosovës, Aida Dërgutin, një aktiviste të dalluar dhe qytetare të përgjegjshme, para se të jetë politikane. Një zonjë që, për dekada me radhë, ka pasur vetëm një qëllim: t’i shërbejë Kosovës, në çfarëdo kapaciteti që i është besuar”, ka shkruar Hamza.
Ai shtoi se e vlerëson qasjen e saj ndaj drejtësisë dhe angazhimit qytetar.
“Për Aidën, siç e dinë të gjithë, drejtësia është mbi të gjitha detyrë. Dhe, në këtë mision, do të punojmë bashkë”, u shpreh Hamza.
Në fund të deklaratës së tij, Hamza e përshëndeti zyrtarisht bashkimin e saj me partinë:
Ky zhvillim vjen në një periudhë kur subjektet politike në Kosovë po konsolidojnë radhët e tyre në prag të zhvillimeve të reja politike në vend. /Telegrafi/





