“Ai është një nga të zgjedhurit”, Laporta jep një mesazh të fortë për të ardhmen e Yamalit

Sport

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur besimin e tij të plotë se Lamine Yamal do të vazhdojë karrierën te katalunasit, duke theksuar se talenti i ri ndihet i dashur në klub dhe i ka të gjitha kushtet për të vijuar zhvillimin e tij. Laporta ka larguar shqetësimet rreth të ardhmes së 19-vjeçarit, duke e […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur besimin e tij të plotë se Lamine Yamal do të vazhdojë karrierën te katalunasit, duke theksuar se talenti i ri ndihet i dashur në klub dhe i ka të gjitha kushtet për të vijuar zhvillimin e tij.

Laporta ka larguar shqetësimet rreth të ardhmes së 19-vjeçarit, duke e cilësuar atë si një produkt të akademisë së famshme La Masia, i cili identifikohet fuqishëm me Barcelonën dhe vlerat që përfaqëson klubi.

“Ne nuk jemi të shqetësuar për të ardhmen e Lamine Yamalit. Ai është një tifoz i Barcelonës dhe një lojtar i dalë nga La Masia. Ndihet shumë i dashur këtu dhe po zhvillohet si futbollist në këtë klub”, deklaroi Laporta.

Kreu i Barcelonës theksoi gjithashtu se klubi i vlerëson financiarisht lojtarët e tij, por nënvizoi se për të qëndruar në një ekip nuk mjaftojnë vetëm kushtet ekonomike. Sipas tij, ndjenja e përkatësisë dhe rehatia në ambientin e klubit kanë një rëndësi të veçantë.

“Barcelona i paguan mirë lojtarët e saj. Gjithçka ka të bëjë me ndjenjën e rehatisë dhe mirënjohjen. Përveç kësaj, jashtë Barcelonës është shumë ftohtë”, u shpreh ai.

Laporta nuk i kurseu vlerësimet për cilësitë e jashtëzakonshme të Yamalit, duke e përshkruar si një talent të rrallë, i cili ka aftësinë të dhurojë magji jo vetëm me lojën e tij, por edhe me mentalitetin që shfaq në fushë.

“Lamine Yamal është gjeni. Ai e ka atë magji që e kanë vetëm të përzgjedhurit”, deklaroi presidenti i Barcelonës.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për mënyrën se si luan, por edhe për mentalitetin e tij. Ai është argëtim i pastër. Nuk mund ta imagjinoni të ardhmen e Barcelonës pa Lamine Yamal”, përfundoi Laporta. /Telegrafi/

Komentet