Hansi Flick ka shprehur krenarinë për rrugëtimin e Barcelonës nën drejtimin e tij, teksa është pranë arritjes së një momenti të veçantë në karrierën e tij te klubi katalunas, fitores së 100-të si trajner i ekipit.
Trajneri gjerman ka vlerësuar përkrahjen e tifozëve, përkushtimin e lojtarëve dhe atmosferën brenda skuadrës, duke theksuar se rrugëtimi i përbashkët deri më tani e ka bërë krenar atë dhe stafin e tij.
“Kur unë dhe stafi im erdhëm këtu, besoja se ishim gati për të nisur një rrugëtim të madh. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë rrugën që kemi përshkuar deri më tani”, u shpreh Flick.
Ai gjithashtu foli për lidhjen e veçantë mes ekipit dhe tifozëve të Barcelonës, duke theksuar se dashuria dhe respekti që marrin nga mbështetësit janë rezultat edhe i mënyrës se si luan skuadra, mentalitetit dhe qëndrimit që tregon në fushë.
“Respekti dhe dashuria që marrim nga tifozët e Barçës dhe njerëzit e Barcelonës janë të jashtëzakonshme. Kjo vjen edhe nga mënyra se si luajmë, mentaliteti dhe qëndrimi ynë. Sigurisht, kemi cilësi, por në fund gjithçka ka të bëjë me fitoret”, deklaroi trajneri gjerman.
Flick nuk i kurseu lëvdatat as për futbollistët e tij, duke u shprehur i impresionuar nga përkushtimi i tyre gjatë dy javëve të fundit, pavarësisht ngarkesës fizike pas një periudhe të gjatë të Kupës së Botës.
“Jam jashtëzakonisht krenar për këta lojtarë. Ajo që kanë bërë gjatë dy javëve të fundit është e pabesueshme. Kemi ardhur pas një Kupe të Botës që ka qenë e gjatë dhe të gjithë duan të japin maksimumin, edhe kur fizikisht nuk janë në 100 për qind të formës”, tha ai.
Në fund, trajneri i Barcelonës vlerësoi atmosferën brenda skuadrës dhe mënyrën se si lojtarët punojnë së bashku, duke e cilësuar këtë si një nga elementet kryesore për suksesin e ekipit.
“Të shohësh se si stërviten, si punojnë së bashku dhe çfarë atmosfere kanë krijuar brenda ekipit është e jashtëzakonshme. Kjo është ajo që të nevojitet: atmosferë e mirë, cilësi në stërvitje dhe përkushtim në nivelin më të lartë. Jam shumë mirënjohës”, përfundoi Flick. /Telegrafi/






