Nëse keni kërkuar mënyra për ta përmirësuar sinjalin Wi-Fi, me siguri keni hasur në këshillën virale që të vendosni një monedhë metalike mbi ruter.
Sipas këtij truku, metali gjoja ndihmon në drejtimin e valëve dhe rrit rrezen e internetit në shtëpi. Por testet tregojnë se ky truk nuk sjell asnjë përmirësim dhe në disa raste mund ta përkeqësojë sinjalin.

Matjet kanë treguar se shpejtësia e internetit dhe cilësia e lidhjes mbeten të njëjta ose edhe pak më të dobëta kur mbi ruter vendoset një objekt metalik, krahasuar me përdorimin normal pa shtesa.
Arsyetimi pas këtij miti bazohet në idenë se metali mund të ndihmojë në orientimin e valëve radio.
Megjithatë, në praktikë ndodh e kundërta: metali mund të reflektojë dhe të pengojë përhapjen e valëve Wi-Fi, duke ndikuar në mënyrën se si shpërndahet sinjali në hapësirë.
Eksperimentet kanë treguar se vendosja e një monedhe pranë antenave të ruterit nuk sjell rritje të mbulimit të rrjetit. Në disa matje është vërejtur edhe një ulje e lehtë e performancës së lidhjes.
Nëse sinjali Wi-Fi është i dobët, zgjidhjet më efektive janë vendosja e ruterit në një pozicion më të përshtatshëm, larg mureve të trasha dhe objekteve të mëdha metalike. Gjithashtu, sistemet Mesh Wi-Fi ose përforcuesit e sinjalit ofrojnë rezultate shumë më të mira sesa truket nga rrjetet sociale.
Pra, monedha mbi ruter nuk është një zgjidhje magjike për internet më të shpejtë. Për një sinjal më të mirë duhen përdorur metoda reale teknike, jo këshilla virale të pakonfirmuara. /Telegrafi/





