Kurti: Raportin për lëshimet institucionale në rastin Arlinda Zekaj e pres deri nesër në orën 18:00

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në mbledhjen e Qeverisë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke ngritur shqetësime për, siç tha, një zinxhir sistemor të lëshimeve nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë. Kurti tha se vrasja e Arlinda Zekajt, e cila u vra para shtëpisë së saj, rëndohet edhe […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në mbledhjen e Qeverisë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke ngritur shqetësime për, siç tha, një zinxhir sistemor të lëshimeve nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Kurti tha se vrasja e Arlinda Zekajt, e cila u vra para shtëpisë së saj, rëndohet edhe më shumë për shkak të paralajmërimeve të mëhershme që, sipas tij, nuk morën përgjigjen e duhur institucionale.

“Secila vrasje është vepër e rëndë, por ajo rëndohet edhe më shumë kur qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet që janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se paralajmërimet e bëra para vrasjes e bëjnë rastin edhe më shqetësues.

“Një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk merrnin përgjigje, nuk kishte sesi të përfundonte ndryshe dhe kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, u shpreh kryeministri.

Kurti bëri të ditur se, menjëherë pas marrjes së informacioneve të para për rastin, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kishte thirrur një mbledhje urgjente me institucionet përkatëse të sigurisë dhe drejtësisë, në nivel qendror dhe lokal.

Arrestohet Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt – Policia jep detaje

Sipas tij, qëllimi i këtij takimi ishte sigurimi i informacioneve të sakta për rrethanat e ngjarjes dhe veprimet e institucioneve.

Kreu i Qeverisë njoftoi gjithashtu se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme një raport të detajuar për rastin, ku do të evidentohen veprimet dhe lëshimet e mundshme në secilën hallkë institucionale.

“Si kryeministër kam kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme një raport të detajuar me evidencat dhe lëshimet në secilën hallkë të institucioneve”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se raportet pritet t’i dorëzohen deri të enjten në mbrëmje, para orës 18:00, dhe premtoi se do t’i bëjë publike.

“Deri nesër në mbrëmje, para orës 18:00, i pres raportet”, deklaroi Kurti.

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime lidhur me trajtimin institucional të rasteve të dhunës dhe kërcënimeve të raportuara para ngjarjes. Ndërkohë, autoritetet pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet përkatëse. /Telegrafi/

Komentet