Rinesa Qeriqi apo siç njihej nga publiku si Rinesancë, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë nga tumori, pritet të kthehet në Kosovë, ndërsa procedurat për riatdhesimin e saj janë ende në vazhdim.
Familja ka bërë të ditur se deri më tani nuk është caktuar data se kur trupi i saj do të mbërrijë në vendlindje.
Njoftimi është publikuar në Facebook nga motra e Rinesës, e cila ka ndarë me familjarët, të afërmit dhe miqtë informacionet e fundit lidhur me procedurat që po zhvillohen.
Në këtë postim, familja Qeriqi shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që morën pjesë në homazhet e organizuara për Rinesën në Waterloo.
Familjarët theksuan se, për shkak se procedurat e riatdhesimit nuk kanë përfunduar ende, nuk mund të konfirmojnë një datë të saktë për kthimin e saj në Kosovë.
Po ashtu, familja ka njoftuar se detajet për ceremoninë e varrimit dhe homazhet që pritet të mbahen në Prishtinë do të bëhen të ditura me kohë, sapo të ketë informacione të konfirmuara.
Duke iu drejtuar të gjithë atyre që kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet, falënderuan përzemërsisht përkrahjen e marrë në këtë periudhë të dhimbshme. /Telegrafi/