Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë, masa e paraburgimit është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Selvije Morina Zejnaj, e cila e ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e kësaj mase.
Paraburgimi ndaj Sylajt është caktuar për një muaj, nga 25 tetori 2026, në orën 20:00, deri më 24 nëntor 2026, në të njëjtën orë.
Sipas gjykatës, vepra penale për të cilën dyshohet Sylaj është e përcaktuar në nenin 393, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Jeton Sylaj sillet në Gjykatë, injoron pyetjet e gazetarëve për vrasjen e Arlinda Zekajt
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të tij. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit përmes Gjykatës Themelore në Pejë.
Prokuroria më herët kishte kërkuar paraburgim me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurit.
“… nga provat e siguruara deri në këtë fazë të procedurës rezulton se ekziton rreziku konkret i ikjes së të pandehurit. Përkatësisht duke u nisur nga fakti se i pandehuri Jeton ka shtetësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njëherit jeton në shtetin e Amerikës, rrethanë kjo që vërtetohet edhe nga deklarata e tij e dhënë pranë Prokurorisë më datë 23. 07. 2026”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.
I pandehuri u ndalua nga Prokuroria, pas denoncimit nga tashmë e ndjera Arlinda Zekaj për dhunë në familje. E pas kthimit në shtëpi ajo u vra me sëpatë. I dyshuar është kunati i saj që gjendet në arrati./Telegrafi/