Moggi kritikon sulmuesit e Juventusit, ndërsa ka edhe një mesazh për Koopmeiners

Sport

Ish-drejtuesi i Juventusit ka kritikuar përbërjen aktuale të skuadrës, ndërsa ka zbuluar edhe çfarë i ka thënë Gian Piero Gasperini për mesfushorin Teun Koopmeiners. Luciano Moggi, ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, ka kritikuar repartin ofensiv të bardhezinjve, duke deklaruar se nuk do ta kishte transferuar as Randal Kolo Muanin dhe as Nick Woltemaden. Duke folur […]

Madhësia e shkronjave

Ish-drejtuesi i Juventusit ka kritikuar përbërjen aktuale të skuadrës, ndërsa ka zbuluar edhe çfarë i ka thënë Gian Piero Gasperini për mesfushorin Teun Koopmeiners.

Luciano Moggi, ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, ka kritikuar repartin ofensiv të bardhezinjve, duke deklaruar se nuk do ta kishte transferuar as Randal Kolo Muanin dhe as Nick Woltemaden.

Duke folur në emisionin Radio Radio, Moggi u shpreh hapur për sulmuesit e Juventusit, duke vënë në pikëpyetje aftësitë e Woltemades, pavarësisht shtatlartësisë së tij.

Moggi gjatë një ndeshje duke shikuar Juventusin telegrafi.com

“Sulmuesit? Nuk do ta kisha transferuar asnjërin prej tyre. Woltemade është shumë i gjatë, por, pavarësisht shtatlartësisë, nuk e godet mirë topin me kokë”, deklaroi Moggi.

Ai madje e krahasoi gjermanin me Zlatan Ibrahimovicin, por theksoi se mes tyre nuk mund të bëhet një krahasim i mirëfilltë.

“A është aq i gjatë sa Ibrahimovici? Jo, jo, të mos i krahasojmë, sepse ka dallim mes tyre. Njëri ishte futbollist, ndërsa ky është njeri i mirë. Nuk mund ta konsideroj si një lojtar që mund ta ndryshojë rrjedhën e një skuadre”, shtoi ish-drejtuesi i Juventusit.

Megjithatë, Moggi pranoi se Woltemade kishte dhënë kontribut edhe në aksionet sulmuese të ekipit, duke përmendur pasimin që parapriu golin e parë të Juventusit.

Kolo Muani në aksion telegrafi.com

Moggi zbulon çfarë i ka thënë Gasperini për Koopmeinersin

Ish-drejtuesi i Juventusit foli edhe për Teun Koopmeinersin, mesfushorin holandez që po përballet me vështirësi për të gjetur vazhdimësinë e paraqitjeve të tij.

Moggi zbuloi se ka biseduar shpesh për të me Gian Piero Gasperinin, i cili e kishte drejtuar Koopmeinersin te Atalanta dhe e njeh mirë mënyrën e tij të lojës.

“Flas shpesh për të me Gasperinin dhe ai më ka shpjeguar diçka që mund të jetë e drejtë dhe që me siguri është e tillë, pasi e ka pasur lojtarin nën drejtimin e tij”, tha Moggi.

Mediumi italian: Edon Zhegrova u fye nga tifozët e Lecces

Sipas tij, mesfushorit holandez nuk duhet t’i caktohet një rol i ngurtë në fushë, por duhet t’i jepet liria për ta gjetur vetë pozicionin më të përshtatshëm.

“Koopmeinersit nuk duhet t’i caktohet një rol. Duhet të vendoset në fushë dhe të lihet ta gjejë vetë pozicionin e tij. Nëse i cakton një rol, e ngatërron dhe ai praktikisht zhduket nga loja”, u shpreh Moggi.

Ai beson se problemi i mesfushorit është edhe psikologjik, pasi frika nga gabimet po ndikon në mënyrën se si luan.

“Mendoj se, në këtë moment, Koopmeiners ka frikë ta marrë topin, nga frika se mos gabon”, përfundoi Moggi. /Telegrafi/

Komentet