Këngëtarja Dafina Zeqiri ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Sylaj – Zekajt, duke shprehur revoltën për dështimin e institucioneve në mbrojtjen e grave që përballen me dhunë dhe kërcënime për jetën.
Përmes një postimi në InstaStory, artistja ka ngritur pikëpyetje të forta për mënyrën se si trajtohen rastet kur gratë kërkojnë ndihmë dhe paralajmërojnë se ndodhen në rrezik.
“E dashur Arlinda, sistemi ka dështu edhe njëherë”, ka shkruar Dafina.
Foto: Screenshot/Instagram
Ajo ka shprehur indinjatën se si është e mundur që një grua të kërkojë ndihmë nga policia, të tregojë se ka frikë për jetën e saj dhe sërish të mos arrijë të shpëtojë nga rreziku.
Sipas këngëtares, institucionet duhet të jenë aty për t’i mbrojtur gratë dhe për t’u siguruar që thirrjet e tyre për ndihmë të mos mbeten pa përgjigje.
“Sa gra duhet me vdekë, deri sa me fillu me i marrë seriozisht thirrjet e tyne për ndihmë?”, ka pyetur ajo.
Dhurata Dora e tronditur nga vrasja e Arlindës: Mbrojtja duhet të vijë para se të jetë vonë
Në fund, Dafina ka ngritur një tjetër pyetje që përmbledh mesazhin e saj: “Kur ka me ardhë dita që gratë i shpëtojmë, e jo veç i vajtojmë masi t’jetë vonë?”.
Reagimi i saj i bashkohet zërave që kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave, në mënyrë që thirrjet për ndihmë të dëgjohen para se të jetë tepër vonë. /Telegrafi/