Fondacioni i ri në Zvicër u bën thirrje pensionistëve ta dhurojnë pensionin e 13-të për njerëzit në nevojë

Bota

Një fondacion i ri në Zvicër u bën thirrje pensionistëve që nuk kanë nevojë për të ardhura shtesë, ta dhurojnë pensionin e 13-të për organizatat bamirëse që mbështesin të moshuarit, fëmijët dhe të rinjtë në vështirësi. Fondacioni Chance 13 synon që përmes donacioneve vullnetare të sigurojë ndihmë për personat që përballen me probleme financiare. Partnerët […]

Madhësia e shkronjave

Një fondacion i ri në Zvicër u bën thirrje pensionistëve që nuk kanë nevojë për të ardhura shtesë, ta dhurojnë pensionin e 13-të për organizatat bamirëse që mbështesin të moshuarit, fëmijët dhe të rinjtë në vështirësi.

Fondacioni Chance 13 synon që përmes donacioneve vullnetare të sigurojë ndihmë për personat që përballen me probleme financiare. Partnerët e parë të nismës janë organizatat Pro Senectute dhe Pro Juventute.

Përmes Pro Senectute, mjetet e mbledhura do të përdoren për të krijuar një fond që do t’u ofrojë ndihmë të shpejtë të moshuarve në vështirësi financiare, pa procedura të ndërlikuara.

Ndërsa Pro Juventute do t’i orientojë donacionet drejt projekteve për fëmijët dhe të rinjtë, përfshirë edhe fushën e arsimit, shkruan SRF, transmeton Telegrafi.

Fondacioni u themelua nga sipërmarrësi nga Lucerni dhe eksperti i pensioneve, Jörg Odermatt, si dhe bankieri Karl Reichmuth. Të dy kanë kontribuar personalisht me nga 150 mijë franga zvicerane për të mbështetur nisjen e projektit.

Themeluesit synojnë që gjatë viteve të para të mbledhin nga një deri në dy milionë franga në vit.

Sipas tyre, grumbullimi i donacioneve përmes fondacionit mundëson që ndihma të organizohet dhe të përdoret në mënyrë më efektive.

Megjithatë, nisma nuk u drejtohet të gjithë pensionistëve. Themeluesit theksojnë se shumë të moshuar varen nga pensioni i 13-të për të përballuar shpenzimet e përditshme dhe se dhurimi duhet të bëhet vetëm nga ata që kanë mundësi financiare të heqin dorë nga kjo shumë.

Jörg Odermatt vlerëson se rreth 25 për qind e pensionistëve në Zvicër mund të jetojnë pa këto të ardhura shtesë. Ai shpreson që iniciativa të nxisë edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për njerëzit në nevojë.

Ndërkohë, më 29 nëntor, qytetarët zviceranë do të votojnë për mënyrën e financimit të pensionit të 13-të, i cili pritet të kushtojë fillimisht më shumë se katër miliardë franga në vit.

Në qershor, Parlamenti vendosi që një pjesë e financimit të sigurohet përmes rritjes me 0,4 pikë përqindjeje të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). Rritja e propozuar nuk do të zbatohej për disa produkte të përditshme, përfshirë ushqimet dhe barnat.

Për shkak se bëhet fjalë për rritjen e TVSH-së, propozimi duhet të miratohet nga votuesit.

Edhe nëse merr mbështetjen e tyre, masa nuk mund të hyjë në fuqi para fillimit të vitit 2028. Si rrjedhojë, pensionet e 13-ta për vitet 2026 dhe 2027 nuk do të financohen përmes kësaj rritjeje tatimore./Telegrafi/

Bottom of Form

Komentet