Të bësh blerje me telefon apo kartë është kthyer në normë në Europë, por në Shqipëri paraja fizike vazhdon të sundojë. Banka Botërore vëren se vetëm 40 deri në 45% e shqiptarëve me llogari bankare kryejnë pagesa digjitale. Mbi 75% e transaksioneve digjitale kryhen nga grupmosha 18–35 vjeç, ndërsa te moshat mbi 55 vjeç përdorimi i kartave apo Mobile Banking mbetet në nivele minimale, nën 15%.
“Shkaqet kryesore lidhen me zakonin e trashëguar të konsumatorit, mungesën e edukimit financiar dhe aksesin e ulët në teknologji në zonat rurale. Nga ana tjetër, te tregtarët e vegjël vepron stimulimi i mosdeklarimit të xhiros realisht për t’i ikur tatimeve, çka bën që terminalet POS shpesh të mungojnë”, pohoi Besarta Tafaj, eksperte e financave.

Në gusht, paraja cash jashtë bankave arriti në nivelin rekord të 534 miliardë lekëve, me një rritje vjetore 15.2%. Mbajtja e parave në dorë shpesh konsiderohet “pa kosto”, por në shkallë makroekonomike kjo është një iluzion.
“Ruajtja e cash-it ka kosto masive të fshehura për sistemin, nga transporti i blinduar dhe mirëmbajtja e kartëmonedhave deri te sigurimi i tyre. Nevojitet urgjentisht një fushatë informimi se rrugët digjitale janë më të shpejta e më të sigurta dhe se ekonomia cashless ul koston e të bërit biznes”, u shpreh Tafaj.
Banka e Shqipërisë synon që përdorimi i pagesave pa cash të kapë 60% deri në vitin 2030. Por, përtej reformave institucionale e SEPA-s, sfida reale mbetet ndryshimi i zakonit të fortë të shqiptarëve për të prekur paranë fizike./Tv Klan