Një glob historik i përdorur nga ish-presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower gjatë Luftës së Dytë Botërore është dëmtuar në Pentagon, pasi bashkëpunëtorët e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, tentuan ta zhvendosnin në zyrën e tij pa ndihmën e specialistëve.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Hegseth kishte kërkuar që globusi të vendosej në zyrën e tij për shkak të rëndësisë historike dhe lidhjes së tij me Eisenhowerin, i cili udhëhoqi forcat aleate gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë u bë president i Shteteve të Bashkuara.
Gjatë përpjekjes për ta zhvendosur, globusi ra mbi bazamentin e tij dhe u dëmtua në pjesën që paraqet Antarktidën. Fotografi të publikuara nga The Washington Post tregojnë një vrimë të madhe në sipërfaqen e objektit, si dhe copa të vogla të shkëputura prej tij.
Ushtria amerikane konfirmoi se incidenti ndodhi më 3 shkurt. Sipas zëdhënësit Christopher Surridge, përveç dëmtimit të sipërfaqes, globusi u shkëput edhe nga mbajtësja metalike që i mundëson rrotullimin.
Objekti nuk u vendos në zyrën e Hegsethit pas incidentit, raportojnë mediat.
Zhvendosja duhej të kryhej në bashkëpunim me specialistët e Qendrës së Historisë Ushtarake të Ushtrisë amerikane, të cilët mund të siguronin transportimin e duhur dhe dokumentimin e procesit. Megjithatë, ekspertët nuk ishin në dispozicion për shkak të një mbylljeje të pjesshme të qeverisë amerikane.
Sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, bashkëpunëtorët e Hegsethit vendosën të vazhdonin pa pritur ndihmën e specialistëve. Nuk është e qartë nëse sekretari e kishte urdhëruar personalisht zhvendosjen apo nëse vendimi ishte marrë nga anëtarë të ekipit të tij.
Incidenti shkaktoi reagime dhe u bë objekt diskutimesh brenda Pentagonit, ndërsa rasti ngriti pikëpyetje për mënyrën se si u trajtua një objekt me vlerë historike.
Globusi daton nga vitet 1930 dhe, sipas pllakës informuese pranë tij, Eisenhoweri e përdori për herë të parë në vitin 1942, kur shërbente në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane. Ai ishte pjesë e punës së tij në planifikimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake gjatë luftës.
Një glob tjetër i lidhur me Eisenhowerin ruhet në zyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane. Në të gjenden shënime të bëra me laps nga Eisenhoweri dhe gjenerali Omar Bradley, një tjetër figurë e rëndësishme e Luftës së Dytë Botërore. /Telegrafi/