Aleanca e ka cilësuar si të dëmshëm rikthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend, duke shprehur shqetësimin se ky veprim mund të ndikojë në kauzën e luftës për liri.
Deputeti Besnik Tahiri, ka thënë sot në Komisionin për Legjislacion se Aleanca e konsideron këtë veprim të papranueshëm.
Tahiri, po ashtu, ka kritikuar Qeverinë për mungesë reagimi gjatë dy javëve që, sipas tij, ligji ka qenë në ekzekutiv, raporton Kp.

“Rikthimin e ligjit në Kuvend si Aleancë e kemi parë si një veprim jashtëzakonisht të dëmshëm, jo serioz, veprim i cili në esencë për ne e ka dëmtuar kauzën. Për më shumë, jemi të habitur qysh qeveria po lëshon lot krokodili, gjoja se u gjet një gabim derisa dy javë ditë e ka pasur në qeveri dhe s’ka dhënë asnjë koment. Për Aleancën është akt i papranueshëm dhe do të shohim si do të rrjedhë. Në Hagë mbrohet tregimi për liri, nuk mbrohen partitë, mbrohet e vërteta jonë, nuk do të lejojmë dëmtimin e kauzës së luftës për liri… Ne ende nuk dimë se çka do të ndryshohet, ende nuk e kemi parë letrën kthyese të presidentes”, ka thënë Tahiri.
Presidentja Justina Shiroka-Pula, ka marrë më 22 tetor vendim për kthimin në rishqyrtim në Kuvend të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili kishte kaluar në lexim të dytë më 6 tetor.
Ajo ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij, veçanërisht të dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.
Në arsyetimin e vendimit, Shiroka-Pula ka theksuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në arsyetimin e vendimit, presidentja ka bërë të ditur se ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Kujtojmë, Iniciativa “Jo në emrin tim” më 19 tetor i ka kërkuar presidentes Justina Shiroka-Pula ta shqyrtojë me kujdes Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe nëse konstaton se ka dispozita që nuk janë në përputhje me Kushtetutën ose mangësi ligjore, ta kthejë atë në Kuvend për rishqyrtim.