Kompania amerikane e teknologjisë Palantir ka siguruar aleatët evropianë se sistemi i saj i inteligjencës artificiale, i përdorur nga NATO për operacionet ushtarake, nuk ka një mekanizëm të fshehtë për t’u çaktivizuar nga kompania apo qeveria amerikane. Deklarata vjen pas ndërprerjeve të shërbimeve Starlink dhe Starshield në Ukrainë, të cilat kanë shtuar shqetësimet në Evropë për varësinë nga teknologjia amerikane.
Louis Mosley, zëvendëspresident ekzekutiv i Palantir për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën, i tha Reuters të mërkurën në Bruksel se klientët që blejnë programet e kompanisë ruajnë kontrollin e plotë operacional mbi to, transmeton Telegrafi.
“Ajo që kemi parë në lajme gjatë ditëve të fundit lidhur me Starlink është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Mosley. Ai shtoi se Palantir mund të japë garanci të qarta se nuk ekziston asnjë mekanizëm që do t’i mundësonte kompanisë apo qeverisë amerikane ta çaktivizonte sistemin nga distanca.
Shqetësimet u shtuan pas problemeve me shërbimet Starlink dhe Starshield në Ukrainë. Më 13 tetor, Kievi akuzoi Uashingtonin se po ngadalësonte qëllimisht Starshield, sistemin ushtarak të komunikimit satelitor të operuar nga SpaceX, nga i cili varen forcat ukrainase në vijën e frontit. Raportimet e mëvonshme pretenduan se Shtëpia e Bardhë i kishte kërkuar kompanisë së Elon Musk të kufizonte qasjen e Ukrainës në këtë shërbim.
Musk reagoi në rrjetin social X, duke deklaruar se Starshield është në pronësi dhe nën kontrollin e qeverisë amerikane dhe se kufizimet për shpejtësinë apo përdorimin vendosen nga ushtria amerikane dhe, në fund, nga presidenti i SHBA-së.
Presidenti Donald Trump mohoi të kishte marrë vendimin, duke thënë se nuk mendonte se përgjegjës ishte as Musk dhe se nuk e dinte nëse vendimi ishte marrë nga dikush tjetër.
Për liderët evropianë, paqartësia rreth përgjegjësisë për kufizimet është shqetësuese, por edhe më i madh është rreziku që administrata amerikane të përdorë varësinë teknologjike të Evropës si mjet presioni politik ndaj aleatëve.
NATO përdor aktualisht sistemin Maven Smart System të Palantir, i cili shfrytëzon inteligjencën artificiale për të analizuar sasi të mëdha të të dhënave nga satelitët, radarët, dronët dhe sensorë të tjerë në fushëbetejë. Qëllimi është të përshpejtohet përpunimi i informacionit dhe marrja e vendimeve ushtarake.
Në vitin 2025, Palantir fitoi një tender me vlerë 480 milionë euro për furnizimin e NATO-s me sistemin Maven. Platforma është vendosur në Komandën e Operacioneve Aleate të NATO-s, në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), dhe në qershor të këtij viti arriti, sipas kompanisë, “kapacitetin e plotë teknik operacional”.
Megjithatë, disa vende anëtare të NATO-s, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë zgjedhur të mos e përdorin Maven, duke shprehur shqetësime për mundësinë që një kompani private të ketë ndikim të madh mbi operacionet ushtarake.
“Lejimi i personelit të industrisë për të pasur qasje në të dhënat kombëtare gjermane është i papranueshëm”, kishte deklaruar më herët këtë vit zëvendësadmirali gjerman Thomas Daum.
Ndërkohë, Franca ka zhvilluar sistemin e vet, Arcadia, në përpjekje për të krijuar një ekosistem kombëtar të të dhënave të mbrojtjes dhe për të ruajtur sovranitetin teknologjik. /Telegrafi/
