Gjykata Administrative Federale e Zvicrës ka vendosur se kompanitë nuk mund të incizojnë zërin e klientëve pa pëlqimin e tyre të shprehur qartë, duke e konsideruar këtë praktikë shkelje të të drejtave personale dhe të privatësisë.
Vendimi lidhet me kompaninë financiare PostFinance, e cila që nga viti 2018 krijonte profile zanore të klientëve që telefononin shërbimin e saj, me qëllim identifikimin e tyre gjatë telefonatave të ardhshme, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.
Deri më tani, klientët njoftoheshin se zëri i tyre regjistrohej dhe duhej të kundërshtonin aktivisht nëse nuk dëshironin ruajtjen e tij.
Gjykata vlerësoi se vazhdimi i bisedës pas këtij njoftimi nuk përbën pëlqim të shprehur.
PostFinance duhet të sigurojë pëlqimin e klientëve për profilet zanore të krijuara deri më tani, ose t’i fshijë ato. Për këtë proces, gjykata ka caktuar afatin deri në mesin e shkurtit 2027. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën Federale të Zvicrës./Telegrafi/
