Gazetarët largohen nga televizioni kritik ndaj Vuçiqit, Amanpour alarmon për lirinë e shtypit në Serbi

Bota

Dhjetë gazetarë të televizionit N1 në Serbi kanë dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj menaxhmentit të ri, të cilin e akuzojnë për censurë, manipulim dhe ndërhyrje në pavarësinë editoriale. Largimi i tyre, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, ka nxitur reagime edhe në nivel ndërkombëtar. Gazetarja e njohur Christiane Amanpour ka shprehur shqetësim për gjendjen e […]

Madhësia e shkronjave

Dhjetë gazetarë të televizionit N1 në Serbi kanë dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj menaxhmentit të ri, të cilin e akuzojnë për censurë, manipulim dhe ndërhyrje në pavarësinë editoriale. Largimi i tyre, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, ka nxitur reagime edhe në nivel ndërkombëtar.

Gazetarja e njohur Christiane Amanpour ka shprehur shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në Serbi, duke theksuar rëndësinë e mediave të pavarura në një demokraci.

“Një moment shqetësues për lirinë e shtypit në Serbi, pikërisht para zgjedhjeve. Një shtyp i lirë dhe i pavarur duhet të jetë i panegociueshëm në çdo demokraci”, ka shkruar ajo në platformën X.

Në një letër të përbashkët drejtuar menaxhmentit, gazetarët kanë renditur një sërë pretendimesh për ndryshimet në drejtimin e televizionit pas ndërrimit të pronësisë. Ata kanë deklaruar se gjatë kësaj periudhe janë përballur me, siç i përshkruajnë, pavërtetësi, manipulime, censurë të fshehtë, diskreditim të kolegëve dhe margjinalizim profesional.

Sipas tyre, menaxhmenti i ri ka ndryshuar redaktorët e programeve, ndërsa ka refuzuar të zhvillojë diskutime të hapura për problemet brenda redaksisë. Gazetarët kanë pretenduar gjithashtu se, pavarësisht një paraqitjeje të jashtme të debatit publik, hapësira për dialog të mirëfilltë brenda televizionit është eliminuar.

Ata kanë kundërshtuar edhe politikën editoriale që, sipas tyre, krijon një barazi artificiale mes aktorëve politikë, pa marrë parasysh kontekstin politik dhe trajtimin që autoritetet serbe i kanë bërë N1 gjatë viteve.

“Pikërisht sepse Serbia po përballet me zgjedhjet më të paparashikueshme që nga themelimi i N1, ne refuzojmë, në këto rrethana, t’i japim legjitimitet një politike editoriale që nuk mund ta mbështesim”, kanë deklaruar ata.

Gazetarët kanë theksuar se kufizimet e vendosura nga drejtuesit e rinj ua kanë pamundësuar vazhdimin e punës pa cenuar parimet e tyre profesionale.

N1 është konsideruar prej vitesh një nga televizionet kryesore në Serbi që raporton në mënyrë kritike për qeverinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Ndryshimet në pronësi dhe menaxhim kanë ngritur pikëpyetje për të ardhmen e pavarësisë editoriale të mediumit.

Christiane Amanpour njofton se po largohet nga CNN pas 43 vitesh

Në maj, kompania mëmë e televizionit u shit te European Future Media Investments, me seli në Luksemburg, e menaxhuar nga Alpac Capital. Kjo e fundit kishte blerë edhe Euronews-in në vitin 2022.

Një hulumtim i gazetarëve të Direkt36 dhe Le Monde kishte raportuar se blerja e Euronews-it ishte financuar pjesërisht nga kapitali shtetëror hungarez dhe kompani të lidhura me rrjetin politik të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán.

Redaksia e N1 ka konfirmuar largimin e dhjetë gazetarëve, duke shprehur keqardhje për vendimin e tyre. Megjithatë, ajo ka deklaruar se do të vazhdojë të mbrojë parimet profesionale dhe pavarësinë e raportimit.

Dorëheqjet vijnë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, në një kohë kur pavarësia e mediave dhe qasja e publikut në informacione të paanshme janë në qendër të vëmendjes. /Telegrafi/

Komentet