Rritja e çmimeve të karburanteve, pakënaqësia me gjendjen e shkollave, përkeqësimi i shërbimeve publike dhe kriza e banesave po nxisin një valë protestash në Evropë.
Prej javësh, turma njerëzish kanë protestuar në qytetet kryesore, ndërsa disa nga demonstratat janë shoqëruar me arrestime, plaçkitje, të lënduar dhe dhunë në Francë, Itali dhe Shqipëri. Në Spanjë dhe Portugali, protestuesit kanë ngritur kampe me tenda për të kundërshtuar çmimet e papërballueshme të banesave.
Të rinjtë evropianë po përjetojnë “një ndjenjë të fortë pasigurie dhe mungesë kontrolli”, tha María Silvestre, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Deustos në Spanjë.
“Dhe kur disa situata të caktuara bashkohen, papritur ndizet një shkëndijë që arrin ta kanalizojë këtë pakënaqësi dhe t’i nxjerrë njerëzit në rrugë”, shtoi ajo.
Politikanët e krahut të djathtë kanë përfituar nga kaosi. Ndërsa protestat në Francë janë dukur se përfshijnë shtresa të gjera të shoqërisë, presidenti amerikan, Donald Trump, i ka paraqitur emigrantët si përgjegjës për shkatërrimet, shkruan ap.
Të hënën, në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se “emigrantët e kanë marrë nën kontroll Francën. Ata duhet TË MBYLLIN KUFIJTË, SHPEJT!”
Protestuesit në rrugë për shkak të rritjes së kostos së jetesës – por si kanë ndryshuar çmimet në Francë, Itali, Spanjë dhe Portugali?
Shumë nga protestat janë nxitur nga të rinj të zhgënjyer. Megjithatë, edhe aktorë të tjerë, përfshirë persona të maskuar dhe të veshur me të zeza, kanë nxitur dhunën. Autoritetet dhe policia franceze nuk i kanë fajësuar emigrantët për këto akte.
Por, shtrohet pyetja se cilët janë faktorët që po nxisin trazirat?
Qytetet janë shndërruar në fusha betejash, ndërsa ekonomitë kryesore të Bashkimit Evropian, përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën, po i afrohen zgjedhjeve vendimtare. Ndërkohë, partitë e ekstremit të djathtë kanë shënuar përparime elektorale në Gjermani dhe mund të arrijnë rezultate të ngjashme edhe në vende të tjera.
Kjo po ndodh në një moment kritik për Evropën edhe sa i përket mbështetjes ndaj Ukrainës. Donald Trump po ndërmerr hapa për afrimin me presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa Rusia akuzohet për sulme gjithnjë e më të shpeshta me zjarrvënie të qëllimshme, sulme kibernetike dhe akte të tjera sabotimi në vendet anëtare të NATO-s.
Studentët thonë se burimet për arsimin po pakësohen
Në Francë, vend me një traditë shekullore të protestave popullore, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar bllokada dhe demonstrata për më shumë se tri javë, duke kërkuar më shumë burime për shkollat, të cilat i përshkruajnë si të keqadministruara, me mungesë të stafit dhe në gjendje të amortizuar, veçanërisht në lagjet me të ardhura më të ulëta.
Protestat u zgjeruan pasi sindikata franceze e punëtorëve CGT dhe aktivistë të tjerë iu bashkuan lëvizjes, ndërsa nxënësit ishin në pushimet vjeshtore. Tashmë, kërkesat përfshijnë edhe kundërshtimin e rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike.
Pavarësisht se qindra mijëra njerëz marshuan në mënyrë paqësore, trazirat gjatë fundjavës çuan në 2 mijë e 400 arrestime dhe shkaktuan incidente të rënda në disa pjesë të Francës, përfshirë plaçkitje në Paris, Marseille, Lyon dhe Bordeaux.
Protestat përshkallëzohen në Francë, studentët bllokojnë Luvrin
Në Limoges, flakët përfshinë ndërtesën e bashkisë së qytetit, e ndërtuar në shekullin XIX, duke e dëmtuar atë pothuajse tërësisht. Edhe disa shkolla u dogjën.
Qindra persona janë lënduar gjatë përleshjeve, ndërsa nxënësit dhe protestuesit e dhunshëm hodhën bomba artizanale me lëndë djegëse, kurse forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, dënoi dhunën e së shtunës, duke akuzuar aktivistët e së majtës ekstreme se po përpiqen të nxisin kaos duke sulmuar ndërtesat dhe policinë.
“Ata që kanë plaçkitur do të duhet të paguajnë për dëmet, ndërsa ata që janë përpjekur ta rrëzojnë Republikën do të mbahen përgjegjës”, tha Macron të dielën, në një fjalim të rrallë televiziv.
Në Spanjë, mësuesit e shkollave fillore dhe të mesme nisën javën e kaluar një grevë të pacaktuar në Madrid, duke kërkuar paga më të mira dhe kushte më të mira pune. Mësues të pakënaqur kanë organizuar greva të ngjashme edhe në pjesë të tjera të Spanjës gjatë këtij viti.
Çmimet e papërballueshme të banesave po ua vështirësojnë jetën të rinjve
Në sheshin qendror Puerta del Sol, në Madrid, prej javësh janë vendosur tenda të improvizuara, në shenjë proteste kundër rritjes së çmimeve të banesave.
Protestat u nxitën nga dëbimi i María del Carmen Abascal, një gruaje 87-vjeçare, e cila më vonë vdiq derisa ishte e shtruar në spital. Më pas, kampe më të vogla protestuesish u ngritën edhe në qytete të tjera të Spanjës.
Presioni publik bëri që qeveria socialiste në pushtet të miratonte masa për strehim të përballueshëm, por ato nuk siguruan mbështetjen e nevojshme në Parlament. Si pasojë, kryeministri Pedro Sanchez bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në nëntor.
Pedro Sánchez shpall zgjedhje të parakohshme në Spanjë pas rrëzimit të dekreteve për strehimin
Për muajin nëntor është thirrur gjithashtu një grevë e përgjithshme, e para e këtij lloji në 14 vjet.
Protesta të ngjashme kundër krizës së banesave kanë shpërthyer edhe në qytetet më të mëdha të Portugalisë, Lisbonë dhe Porto, si dhe në Barcelonë, një nga qytetet spanjolle më të prekura nga turizmi masiv dhe problemet me strehimin.
Sipas një analize të gazetës ekonomike Expansion, paga minimale në Spanjë është 1.221 euro, ndërsa qiraja mesatare mujore për një banesë prej 80 metrash katrorë arrin rreth 1.130 euro.
“Pjesa më e madhe e pagës sime shkon për qiranë. Edhe shoqja ime me të cilën ndaj banesën, ashtu si unë, mezi ia del të përballojë shpenzimet”, tha Diana Manzanares, një kameriere 20-vjeçare, e cila ndodhet në kampin e protestuesve në Madrid.
“Kjo është realiteti im dhe realiteti i shumicës prej nesh që jetojmë në këtë qytet”, shtoi ajo.
Kostoja e papërballueshme e jetesës, ndërsa inflacioni rritet në Itali
Lëvizja “Italia in Piazza”, që në shqip do të thotë “Italia në sheshe”, ka mobilizuar mijëra protestues, të cilët po kërkojnë më shumë mundësi punësimi, përmirësim të kujdesit shëndetësor dhe arsimit, qasje më të lehtë në banesa, si dhe paga më të larta.
Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në Itali u rrit në 4.2 për qind në shtator, duke tejkaluar nivelin prej 3.8 për qind në eurozonë.
Vala e protestave përfshin Evropën, pas Francës trazira edhe në Itali
Marshimet paqësore u pasuan nga trazira të dhunshme në Torino dhe Bolonjë, si dhe në Milano, qendra financiare dhe e modës e Italisë. Atje, protestues të maskuar u përleshën me policinë, plaçkitën dyqane dhe u vunë zjarrin pronave.
Policia e Milanos njoftoi se 271 persona u arrestuan, shumica prej tyre të mitur, ndërsa 14 pjesëtarë të forcave të sigurisë u lënduan gjatë dy ditëve të trazirave.
Ndërkohë, një grup i sapoformuar, që e quan veten “Lëvizja e 17 Tetorit”, ka shpallur atë që e përshkruan si “mobilizim të përhershëm”. Grupi ka bërë thirrje për protesta çdo të shtunë, në orën 15:00, në qytete të ndryshme të Italisë.
Studentët në Shqipëri i bashkohen protestave kundër korrupsionit
Protestat kundër qeverisë kanë vijuar për më shumë se një javë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa përplasjet janë intensifikuar pasi nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët iu bashkuan lëvizjes së gjerë opozitare “Flamingo”, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit socialist, Edi Rama.
Rama i ka dënuar protestuesit, duke i cilësuar si të “ideologjizuar dhe radikalizuar” nga antifa, një term që përdoret për grupe militantësh të së majtës ekstreme, të organizuar në mënyrë joformale.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shpallur këtë lëvizje organizatë terroriste në Shtetet e Bashkuara.
– YouTube www.youtube.com
Lufta kundër korrupsionit është një nga kërkesat kryesore të lëvizjes, e cila e mori emrin nga habitati natyror i flamingove në një zonë ku qeveria e Ramës ka miratuar një projekt të madh turistik luksoz, të lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e Trumpit.
Sipas faqes zyrtare të lëvizjes, protestuesit kërkojnë gjithashtu mbrojtjen e shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe pensioneve publike.
Ndërkohë, në Serbi, studentët universitarë që prej gati dy vjetësh po udhëheqin protesta masive kundër korrupsionit, po sfidojnë përpjekjet për rikthimin në pushtet të ish-udhëheqësit populist të vendit, Aleksandar Vuçiq, në zgjedhjet parlamentare.
Ish-presidenti autoritar synon të emërohet kryeministër pas zgjedhjeve të 25 tetorit.
Partia Lista e Studentëve, e mbështetur nga të rinjtë, besohet se po garon ngushtë me partinë e Vuçiqit, duke e bërë rezultatin të pasigurt dhe duke nxitur frikën për shpërthimin e dhunës së mundshme. /Telegrafi/
