Kim Kardashian ka zbuluar se është ndaluar nga policia “pa numër herësh” për tejkalim të shpejtësisë dhe mosrespektim të shenjës së ndalimit të detyrueshëm, STOP.
Rrëfimin e bëri gjatë një bisede me koleget e saj Sarah Paulson, Naomi Watts dhe Niecy Nash-Betts, në kuadër të turneut promovues në Los Angeles për sezonin e dytë të serialit “All’s Fair”.
Në një video të publikuar në TikTok, aktoret kanë biseduar prapa skenave për zakonet e tyre gjatë drejtimit të veturës.
Biseda nisi kur Naomi Watts tregoi se kishte parë në ëndërr sikur ishte gjobitur për tejkalim të shpejtësisë. Sarah Paulson reagoi duke thënë se policia nuk e kishte ndaluar kurrë gjatë vozitjes.

“Vërtet? Asnjëherë nuk të kanë ndaluar?”, e pyeti Kardashian, ndërsa Niecy Nash-Betts shtoi me shaka: “Po ti, a vozit fare?”.
Pasi Paulson konfirmoi se drejtonte veturë, Kardashian vendosi të tregonte përvojën e saj.
“Oh, mua më kanë ndaluar kaq shumë herë”, tha ajo.
@kimkardashian ALL’S FAIR S2 PRESS TOUR: LA #AllsFair ♬ original sound – Kim Kardashian
Kur Paulson e pyeti për arsyet, Kardashian shpjegoi se bëhej fjalë për tejkalim të shpejtësisë ose mosndalim të plotë te shenja STOP.
“Ngasja me shpejtësi të madhe. Ose, për shembull, kaloj te shenja STOP pa u ndalur plotësisht”, sqaroi ajo, duke iu referuar rasteve kur vetëm e ngadalësonte veturën në vend që të ndalej tërësisht.
Më pas, edhe Naomi Watts pranoi se ishte ndaluar nga policia. Sarah Paulson e ngacmoi duke i thënë: “Bast vë që vozit keq, apo jo?”.
Watts iu përgjigj me humor: “Ik pirdhu! Nuk jam shoferе e keqe. Vozis vërtet mirë dhe i respektoj rregullat”.
Zakonet e Kim Kardashian në trafik kanë qenë edhe më parë temë e mediave.
Në nëntor të vitit 2013, ajo u gjobit për tejkalim të shpejtësisë në autostradën 101 në Los Angeles, në një kohë kur po ndiqej nga paparacët. Sipas gazetës Los Angeles Times, policia rrugore kishte regjistruar të paktën tre fotografë që po vozisnin me shpejtësi nga 130 deri në 135 kilometra në orë.
Disa muaj më herët, portali TMZ raportoi se Kardashian ishte ndaluar në Calabasas për shkak të xhamave të errësuar të veturës, por atëherë kishte marrë vetëm një paralajmërim.
Në nëntor të vitit 2024, ajo u ndalua sërish nga policia, këtë herë teksa po voziste në Malibu. Oficeri i kërkoi të hiqte filmin e errët nga xhami i përparmë i veturës, pasi ishte tepër i errësuar.
Megjithatë, brenda familjes Kardashian, Kim nuk konsiderohet si shoferja më e keqe.
Në një episod të serialit “The Kardashians”, të transmetuar më 15 tetor, Kourtney Kardashian u cilësua si anëtarja e familjes që vozit më keq.
“Ajo nuk vozit mirë”, kishte thënë Kim për motrën e saj, sipas revistës People. “Mendoj se është thjesht tepër e shkujdesur dhe nuk i kushton vëmendje rrugës”.
Edhe Khloé Kardashian ka pasur një përballje me policinë përpara se të merrte patentën e shoferit.
Në podcastin e saj, në mars të vitit 2025, ajo tregoi se ishte ndaluar nga policia në moshën 15-vjeçare, teksa drejtonte veturën fuoristradë të Caitlyn Jenner.
Kur policët i kërkuan dokumentet, Khloé u përpoq të paraqitej me emrin e motrës së saj Kourtney dhe datën e lindjes së Kim-it.
“Sigurisht, ata menjëherë më thanë: ‘Po gënjen, dil nga vetura’”, tregoi ajo.
Sezoni i dytë i serialit “All’s Fair” nis transmetimin në platformën Hulu më 4 nëntor. Sezoni i parë regjistroi 3.2 milionë shikime gjatë tri ditëve të para, duke shënuar, pavarësisht kritikave negative, debutimin më të suksesshëm të një seriali të ri me skenar në këtë platformë gjatë tri viteve të fundit. /Telegrafi/