Yan Diomande po shndërrohet në një nga lajmet më të mira për Real Madridin, duke fituar gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit Jose Mourinho.
Sulmuesi 19-vjeçar nga Bregu i Fildishtë po shihet si një alternativë e rëndësishme për Vinicius Junior, i cili do të mungojë në përballjen ndaj Barcelonës më 25 tetor për shkak të pezullimit.
Diomande vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer në fitoren 4-1 ndaj Sevillas, ku shënoi një gol dhe kontriboi në krijimin e rasteve të tjera të rrezikshme. Forma e tij ka rritur besimin e stafit teknik, në një moment kur madrilenët duhet të gjejnë zgjidhje për mungesën e brazilianit.
Statistikat e tij dëshmojnë për ndikimin që ka pasur në minutat e luajtura. Në 11 ndeshje zyrtare në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, Diomande ka regjistruar dy gola dhe dy asistime, pavarësisht se ka luajtur vetëm 545 minuta.

Pasi kaloi te Real Madridi nga RB Leipzig, anësori nuk pati shumë hapësira në ndeshjet e para të sezonit. Megjithatë, pezullimi i Viniciusit për katër ndeshje, pas përjashtimit me karton të kuq ndaj Villarrealit, i ka dhënë mundësinë të luajë më shumë dhe të tregojë cilësitë e tij.
Në ndeshjen ndaj Sevillas, Diomande dëshmoi se nuk mbështetet vetëm te shpejtësia. Ai kontriboi në aksionin e golit të parë të Arda Gulerit, ndërsa në minutën e 82-të vulosi fitoren me një goditje nga distanca.
Anësori spikati edhe në depërtimet me top dhe në aftësinë për të krijuar rrezik në zonën kundërshtare.
Ai regjistroi 11 depërtime progresive me top dhe 35 ndërhyrje me top në zonën e fundit të fushës, shifra më të lartat në këto dy kategori gjatë ndeshjes.
Një tjetër element që vlerësohet nga Mourinho është angazhimi i tij në fazën defensive. Diomande nuk përqendrohet vetëm te sulmi, por kthehet edhe për të ndihmuar në mbrojtje, duke treguar gatishmëri për të kontribuar në të dyja fazat e lojës.
Megjithatë, trajneri portugez pret që ai të përmirësojë vendimmarrjen në momentet vendimtare pranë portës kundërshtare. Kjo tregon se, pavarësisht paraqitjeve pozitive, 19-vjeçari ka ende hapësirë për zhvillim.
Për Diomanden, prova e radhës do të jetë përballja me Barcelonën më 25 tetor.
El Clasico do të jetë një mundësi e rëndësishme për të dëshmuar se mund të marrë përgjegjësi në një ndeshje të nivelit të lartë dhe të bëhet një alternativë e besueshme edhe pas rikthimit të Viniciusit.
Përballja ka rëndësi të madhe edhe në garën për titull, pasi Barcelona ka gjashtë pikë më shumë se Real Madridi. Për këtë arsye, skuadra e Mourinhos synon të fitojë dhe të ngushtojë diferencën me rivalin e saj të përbetuar.
Para El Clasicos, madrilenët do të përballen edhe me Leipzigun në Ligën e Kampionëve, ku Mourinho mund të menaxhojë minutat e lojtarëve duke pasur parasysh sfidën e fundjavës.
Nëse Diomande arrin ta konfirmojë formën e treguar ndaj Sevillas edhe kundër Barcelonës, ai mund të forcojë ndjeshëm pozitën e tij në skuadër dhe të mbetet një alternativë serioze për Mourinhon edhe pas rikthimit të Vinicius Juniorit. /Telegrafi/





