Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mohuar se SHBA-ja ka pezulluar shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën, duke i bërë thirrje presidentit Volodymyr Zelensky të përqendrohet në përfundimin e luftës me Rusinë.
“Nuk ka pasur asnjë ndërprerje”, deklaroi Rubio para gazetarëve gjatë vizitës në Uzbekistan, pas pretendimeve të Kievit se Uashingtoni kishte ndalur për tri ditë dërgimin e informacioneve që ndihmojnë Ukrainën të mbrohet nga sulmet raketore ruse.
Zelensky deklaroi të dielën se shkëmbimi i inteligjencës ishte rikthyer pas një ndërprerjeje treditore, duke falënderuar palën amerikane për rifillimin e bashkëpunimit.
Sipas tij, gjatë asaj periudhe Ukraina nuk kishte marrë informacione kritike për sulmet me raketa balistike ruse.
Rubio theksoi se presidenti Donald Trump dëshiron që si Zelensky, ashtu edhe presidenti rus Vladimir Putin, të përqendrohen në gjetjen e një zgjidhjeje për luftën, e cila ka hyrë në vitin e pestë.
Deklaratat vijnë pasi Trump kritikoi sërish liderin ukrainas, duke pretenduar se ai nuk dëshiron t’i japë fund luftës, pavarësisht ndihmës financiare që merr nga Evropa.
Trump tha se po shënonte përparim në negociatat për paqe, por akuzoi Ukrainën për sulme ndaj rafinerive ruse të naftës, të cilat, sipas tij, po dëmtojnë tregjet ndërkombëtare të karburanteve.
Ndërkohë, Kievi ka raportuar edhe kufizime në shërbimet satelitore të SpaceX, të drejtuara nga Elon Musk, të cilat Ukraina i përdor për komunikimin në fushën e betejës.
Zelensky sugjeroi se kufizimet mund të kenë qenë një mesazh nga qeveria amerikane, por administrata Trump e mohoi përfshirjen.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cilësoi pretendimet e presidentit ukrainas si të papërgjegjshme.
Përballë pasigurisë mbi mbështetjen amerikane, Ukraina po kërkon të zvogëlojë varësinë nga sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore dhe komunikimit satelitor. Zyrtari i lartë ukrainas Ihor Zhovkva bëri të ditur se Kievi ka nisur diskutime konkrete me vendet evropiane për zhvillimin e alternativave evropiane, përfshirë një sistem të përbashkët të mbrojtjes ajrore. /Telegrafi/






