Ka nisur këtë të diel në Tiranë protesta e gjashtë studentore kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit janë mbledhur rreth orës 12:30 para Ministrisë së Arsimit, duke vazhduar mobilizimin e tyre kundër qeverisë.
Protesta e sotme vjen pas disa ditësh demonstratash dhe përplasjesh, ndërsa situata politike në kryeqytetin shqiptar mbetet e tensionuar.
Më herët gjatë së dielës, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shteti nuk do të tërhiqet përballë akteve të dhunës gjatë protestave.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë, Rama u është drejtuar edhe studentëve që kërkojnë dialog me qeverinë, duke i ftuar të zhvillojnë një takim me të në Kryeministri, në fakultet apo përmes një forme tjetër komunikimi.
“Kush do të flasë me mua pa maskë më ka këtu, kush do të më çojë mesazh me maskë mua dhe shtetin më ka përballë. Kjo që po ndodh, Shqipërinë do ta nxjerrë më të fortë”, ka deklaruar Rama.
Kryeministri ka theksuar kështu se është i hapur për komunikim me studentët, por ka paralajmëruar se institucionet nuk do të tërhiqen përballë dhunës.
Përshkallëzimi i protestave në Tiranë, 272 të lënduar në pesë ditë
65 persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar të shtunën para Kryeministrisë në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, nga personat që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, 37 janë efektivë të Policisë, 24 protestues dhe katër kalimtarë, mes tyre edhe një i mitur.
Aktualisht, 12 persona vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin e Traumës (SUT), ndërsa të tjerët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, bilanci i pesë ditëve të protestave në Tiranë ka arritur në 272 persona të lënduar. Prej tyre, 169 janë punonjës të Policisë, 82 protestues dhe 21 kalimtarë.
Protesta e 17 tetorit ishte e pesta e zhvilluar para Kryeministrisë, ku ditët e fundit janë regjistruar përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Bilanci i të lënduarve pasqyron përmasat e përplasjeve gjatë protestave, të cilat kanë shoqëruar mobilizimin e opozitës dhe qytetarëve në kryeqytetin shqiptar./Telegrafi.
– YouTube www.youtube.com





