Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të shtunën se vendimi i presidentit Donald Trump për të pezulluar sanksionet dhe tarifat gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, do të shërbejë si një pauzë 60-ditore për të “analizuar” ndikimin e tyre në ekonominë globale.
“Presidenti dëshiron të shfrytëzojë këtë periudhë 60-ditore për të analizuar se çfarë do të thotë vendosja e sanksioneve dhe tarifave për ekonominë globale, si dhe për vetë ekonominë amerikane”, tha Rubio, duke vënë në dukje se kufizimet ekonomike përfshijnë një sërë vendesh, jo vetëm Rusinë.
Ai theksoi se konflikte të ndryshme po ndikojnë në çmimet globale të energjisë, duke përfshirë tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe sulmet ndaj Arabisë Saudite nga lëvizja Houthi e Jemenit.
“Këto konflikte në mbarë botën po ndërthuren me njëri-tjetrin dhe po ndikojnë jo vetëm te çmimet globale të naftës dhe naftës diezel”, por edhe te ekonomitë në përgjithësi, u shpreh Rubio.
Të shtunën vonë, Trump deklaroi se vendimi i tij do të jetë në dobi të SHBA-së, ndonëse mbeti e paqartë nëse ai e kishte marrë përfundimisht një vendim për këtë çështje.
“Ne do ta gjejmë zgjidhjen, dhe ju gjithashtu do ta kuptoni”, tha ai. “Është një vendim shumë i mirë; do të jetë një vendim i dobishëm për vendin, dhe besoj se do të jetë i mirë edhe për botën”.
Ligjvënësit amerikanë, nga të dyja krahët politikë, e kritikuan ashpër Trumpin pasi ai nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv që pezullon sanksionet dhe tarifat gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë – masa këto të miratuara nga Kongresi muajin e kaluar.
Ligji, i miratuar në shtator dhe i nënshkruar nga Trump, përfshinte sanksione ndaj zyrtarëve rusë, oligarkëve dhe institucioneve financiare, si dhe i jepte Trumpit autoritetin për të vendosur sanksione ndaj blerësve kryesorë të naftës dhe gazit rus.
Qëllimi ishte shkëputja e burimeve të financimit për mbështetësit e presidentit rus Vladimir Putin, si dhe për luftën e tij në Ukrainë.
Megjithatë, të premten vonë, dy ditë para se ligji të hynte në fuqi, Trump e përjashtoi Rusinë nga këto kufizime ekonomike.
“Më tepër se e papërgjegjshme”, u shpreh senatori republikan Thom Tillis – një kritik i shpeshtë i Trumpit, i cili do ta lërë detyrën në janar – në një postim në X.
“Nëse presidenti dëshiron vërtet t’i ulë çmimet e energjisë, ai mund ta bëjë këtë duke zgjidhur problemin me Iranin, e jo duke i bërë një nder Vladimir Putinit”. /Telegrafi/






