Rama kujton 21 Janarin: U vranë katër protestues, sot ata që sulmojnë policinë janë kriminelë dhe kërkojnë gjak

Nacionale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar ngjarjet e 21 Janarit, duke bërë një paralelizëm me protestat e fundit në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Në një komunikim në Facebook, Rama ka thënë se i ka ende të freskëta kujtimet e 21 Janarit, kur, sipas tij, pati […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar ngjarjet e 21 Janarit, duke bërë një paralelizëm me protestat e fundit në Tiranë, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.

Në një komunikim në Facebook, Rama ka thënë se i ka ende të freskëta kujtimet e 21 Janarit, kur, sipas tij, pati disa vatra zjarri në zonën ku po zhvillohej protesta, por nuk u sulmua asnjë institucion dhe nuk u hodhën molotovë ndaj forcave të rendit.

Ai ka rikujtuar se gjatë protestës së 21 janarit u vranë me armë zjarri katër protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Sipas Ramës, të plagosurit përballeshin edhe me vështirësi për të marrë ndihmë mjekësore, pasi, siç u shpreh ai, i priste dhuna.

Duke folur për përplasjet e fundit, kreu i qeverisë ka dënuar dhunën ndaj policisë, por ka theksuar se personat e përfshirë në këto akte janë gjithashtu të rinj të këtij vendi.

“Ata që përpiqen t’u nxjerrin sytë policëve dhe t’i vrasin, janë kriminelë, por janë fëmijët e këtij vendi. Dëmet nuk janë të vogla, por ndreqen”, ka deklaruar Rama.

Ai ka publikuar gjithashtu pamje të një guri të shkëputur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke e cilësuar atë si një mjet që mund të shkaktojë pasoja të rënda nëse përdoret kundër policisë.

“Ky është një nga mijëra gurët e shkulur të bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për t’u hedhur mbi policinë. Është praktikisht një armë që mund të bëhet edhe vdekjeprurëse”, ka thënë ai.

Rama ka kundërshtuar gjithashtu përpjekjet për ta lidhur dhunën me studentët, duke pretenduar se personat që shfaqen në pamjet e transmetuara nga televizionet dhe që ai i ka cilësuar si “grupi i zjarrit”, nuk përfaqësojnë studentët.

“Imazhet që transmetojnë televizionet tregojnë të ashtuquajturin grup të zjarrit, që nuk ka lidhje me studentët. Kjo është një dhunë e verbër që nuk ka asnjë lidhje me rininë shqiptare”, është shprehur kryeministri.

Protestat e fundit në Tiranë janë shoqëruar me përplasje, dëme materiale dhe të lënduar në mesin e protestuesve dhe pjesëtarëve të policisë, duke shtuar tensionet politike në vend./Telegrafi.

Komentet