E majta dhe e djathta po e përdorin spektaklin historik si armë përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Nga: Muriel Zagha / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Bazilika madhështore e San-Denit [Saint-Denis], në periferi të Parisit, është e mbushur me pllaka përkujtimore dhe figura të shtrira të mbretërve dhe mbretëreshave franceze. Ajo ishte gjithashtu skena e një prej episodeve më traumatike të Terrorit që pasoi revolucionin e vitit 1789.
Në vitin 1793, Konventa Kombëtare në pushtet urdhëroi që varret mbretërore të hapeshin dhe mbetjet njerëzore të hidheshin në varre masive, përpara se të mbuloheshin me gëlqere të pashuar. Duke shkruar në vitet 1850, historiani francez i revolucionit, Jules Michelet, do ta përshkruante më vonë këtë akt fshirjeje si “vrasjen e monarkisë madje edhe në të kaluarën dhe në varret e saj”.
Sot, qyteti i San-Denit, një periferi e madhe e Parisit, është rikthyer në lajme në kontekstin e historisë franceze. Këshilli departamental i Senë-San-Denit [Seine-Saint-Denis] njoftoi kohët e fundit një program shfaqjesh historike me titull Populaire. Toutes nos histoires (E popullit. Të gjitha historitë tona), që do të vihet në skenë në vitin 2027.
Programi do të përfshijë një rikrijim të përdhosjes së vitit 1793, të vënë në skenë në sheshin përpara bazilikës. Njoftimi ka shkaktuar zemërim në të djathtën franceze, e cila e ka dënuar si kremtim pa shije të një prej episodeve më të errëta në historinë e vendit.
Një nga koordinatorët kryesorë të programit Populaire është historiani francez Patrick Boucheron, fusha e kërkimit të të cilit është kornizimi politik dhe ideologjik i historisë. Boucheroni më parë ishte anëtar i komitetit që konceptoi ceremoninë e debatueshme të hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit e cila, ndër të tjera, përfshinte një tablo me figura të Marie-Antoinette-s me kokë të prerë në vendin e Konsijerzherit [Conciergerie] (ku mbretëresha u burgos ndërsa priste ekzekutimin e saj), dhe u kritikua për mungesën e vrazhdë të respektit.
Njoftimi i shfaqjeve të propozuara Populaire ka rindezur një mosmarrëveshje mes progresistëve dhe konservatorëve francezë, e cila sillet rreth dy rrëfimeve konkurruese të historisë së Francës.
Konteksti i kësaj gjendet në rajonin Vande [Vendée] të Francës perëndimore, në parkun historik tematik Kodra e Gaztorit [Puy du Fou]. Ideja e sipërmarrësit dhe politikanit Philippe de Villiers, Kodra e Gaztorit – themeluar në vitin 1978 – është një nga atraksionet më të suksesshme turistike të Francës, duke tërhequr rreth tre milionë vizitorë çdo vit.
Kodra e Gaztorit ofron spektakle dhe rrëfime që i paraqesin figurat historike si mbreti Hlodovek, kardinali Rishelie dhe Luigji XIV.
Një shfaqje veçanërisht epike, me 2 000 aktorë, 24 000 kostume dhe disa qindra kuaj, rrëfen gjithashtu historinë e Vandesë, një provincë e Francës që ishte epiqendra e kryengritjeve kundërrevolucionare në kohën e Revolucionit Francez, me një përqendrim të veçantë te masakrimi në masë i civilëve të Vandesë nga ushtritë revolucionare.
Historianët armiqësorë ndaj mënyrës së rrëfimit të Kodrës së Gazmorit e kanë akuzuar De Villiersin, 77 vjeç, për falsifikim të historisë franceze. Biznesmeni mori pjesë në funeralin e Jean-Marie Le Penit (babait të Marines, udhëheqëses së Tubimit Kombëtar/Rassemblement national) dhe është mbështetës i Eric Zemmourit dhe partisë së tij identitare Rimarrja [Reconquête]. De Villiers shihet si mishërimi i së djathtës së skajshme, i përcaktuar ta përvetësojë historinë e Francës. Shfaqjet e vëna në skenë në Kodrën e Gaztorit përcjellin një mesazh të qëndrueshëm: gjithçka ishte mirë në Francë për sa kohë që ishte monarki katolike.
Miliona vizitorët e parkut janë kryesisht të pavëmendshëm ndaj politikës; ata vijnë për t’u argëtuar. Një vizitë në park është zbavitëse. Shumë para dhe frymëzim janë investuar në projektimin e skenografive dhe kostumeve me cilësi të lartë, dhe disa skena janë vërtet spektakolare. Vizitorët ulen në një kopje të një stadiumi galo-romak për të parë gara gladiatorësh dhe karrocierësh; në një shfaqje për vikingët, një anije e gjatë del në mënyrë dramatike nga një liqen.
Por, pavarësisht meritave të parkut tematik si argëtim, shfaqjet historike Populaire, që do të mbahen vitin e ardhshëm në San-Deni, janë konceptuar si kundërpërgjigje ndaj rrëfimit të Kodrës së Gaztorit. Ndërkohë, vizita e fundit e Papës Leoni XIV në Paris ka dhënë më shumë material për luftën e spektakleve.
Dioqeza e Parisit vuri në skenë një shfaqje të drejtpërdrejtë për Francën si komb i krishterë, ku paraqitej Zhan D’Arka, h****** e historisë franceze e cila, veçanërisht nga vitet ‘80 të shekullit XX, me nxitjen e Jean-Marie Le Penit, është bërë simbol i së djathtës së skajshme franceze. Kjo i gëzoi disa dhe i zemëroi të tjerët.
Ndërkohë, trazirat politike po zhvillohen edhe në rrugët e Francës. Në zonat më të varfra me përqindje të lartë familjesh emigrante, si San-Deni, studentët kanë shkaktuar trazira – në atë që nisi si protestë kundër mungesës së financimit të duhur për shkollat dhe universitetet.
Ndërsa zgjedhjet e ardhshme presidenciale afrohen gjithnjë e më shumë në Francën e polarizuar, kush do të fitojë kapital politik nga kjo dhunë? A do të jetë LFI-ja (Franca e Panënshtruar), partia e së majtës së skajshme e Jean-Luc Mélenchonit e cila mbështet trazirat? Apo partia e Marine Le Penit – e cila i kundërshton me vendosmëri trazirat – do të fitojë më shumë votues si rezultat?
Çfarëdo që të ndodhë, me ndarjet e kahershme të pasqyruara në spektaklet dhe parqet tematike të Francës – të cilat po dalin në plan të parë – zgjedhjet premtojnë dramë me tension të lartë. /Telegrafi/






