Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), në mbledhjen e udhëhequr nga kryesuesi Faik Shatri, kërkoi ndërmarrjen e masave konkrete për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rritjen e performancës së klinikave dhe forcimin e llogaridhënies nga menaxhmentet e spitaleve rajonale.
Kështu thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
“Bordi kërkoi që nga menaxhmentet e spitaleve rajonale të kërkohet përgjegjësi për adresimin e mangësive të identifikuara, zbatimin e rekomandimeve të auditimit dhe përmirësimin e performancës institucionale, përmes përcaktimit të masave konkrete, personave përgjegjës dhe afateve të zbatimit.

Në kuadër të adresimit të gjetjeve të auditimit, kanë filluar procedurat disiplinore ndaj personave për të cilët janë evidentuar dyshime për shkelje. Bordi Drejtues do të informohet në vazhdimësi për punën e Komisionit Disiplinor, ecurinë e procedurave dhe masat që do të ndërmerren. Lidhur me rekomandimet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm, Bordi kërkoi përcaktimin e përgjegjësive dhe afateve konkrete, si dhe raportim periodik mbi progresin dhe dëshmi për zbatimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore, Bordi kërkoi formimin e një grupi punues profesional për analizimin e treguesve të vdekshmërisë, infeksioneve spitalore, komplikacioneve, prerjeve cezariane dhe shfrytëzimit të kapaciteteve spitalore. Rezultatet e analizës do të shërbejnë për identifikimin e mangësive dhe propozimin e masave konkrete për përmirësim.
“Pas vlerësimit të pyetësorëve të vetëvlerësimit të dhjetë klinikave kirurgjike, Bordi kërkoi hartimin e masave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, koordinimin ndërmjet klinikave, zbatimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve klinikë, si dhe përcaktimin e prioriteteve për investime infrastrukturore.
Në funksion të forcimit të organizimit institucional, Bordi miratoi unanimisht Rregulloren për Organizimin e Brendshëm të Administratës Qendrore të SHSKUK-së”.
Gjatë mbledhjes u shqyrtuan gjithashtu raporti i Drejtorit të Përgjithshëm, Elvir Azizi, dhe Draft-Raporti i Punës për periudhën janar–qershor 2026, si dhe çështje që lidhen me investimet, furnizimin me barna dhe planifikimin buxhetor për vitin 2027.
Bordi Drejtues theksoi se menaxhmentet e spitaleve rajonale duhet të japin llogari për rezultatet e punës, adresimin e mangësive dhe zbatimin e masave të kërkuara. Bordi do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të tyre, me qëllim përmirësimin e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët. /Telegrafi/





