Sega ka tërhequr nga shitja versionin e rinovuar të videolojës Total War: Shogun 2 – Complete Edition, pasi një numër i madh fansash e kritikuan për përdorimin e dukshëm të inteligjencës artificiale gjeneruese gjatë krijimit të saj.
Video-loja u publikua në platformën Steam para disa ditësh, por kompania Sega dhe studioja Creative Assembly u përballën shpejt me kritika në rrjetet sociale. Sipas lojtarëve, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk e përmirësoi lojën, por ndikoi negativisht në cilësinë e saj.
Përballë reagimeve, Sega pranoi se Total War: Shogun 2 – Complete Edition nuk i kishte përmbushur pritshmëritë e lojtarëve dhe as standardet e kompanisë.

“Jemi të vetëdijshëm se Total War: Shogun 2 – Complete Edition nuk i ka përmbushur as pritshmëritë tuaja dhe as standardet tona. I kemi parë reagimet, komentet dhe vlerësimet tuaja. Pajtohemi se përvoja aktuale nuk është në nivelin që duhet të jetë”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Sega njoftoi se po bashkëpunon me platformat përkatëse për ta tërhequr përkohësisht lojën nga shitja dhe për ta rikthyer versionin origjinal, ndërsa po shqyrton problemet e evidentuara.
Megjithatë, përdoruesit që e kanë blerë tashmë lojën do të mund të vazhdojnë ta përdorin atë.
Një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë ishte fakti se lojtarët prisnin një version të rinovuar, me përmirësime të dukshme, por besojnë se zhvilluesit nuk kishin bërë përpjekje të mjaftueshme për ta përmirësuar lojën dhe ishin mbështetur tepër te inteligjenca artificiale.
Për më tepër, versioni i rinovuar kushtonte rreth 10 dollarë më shumë se origjinali, gjë që shtoi pakënaqësinë e fansave.
Pas reagimeve, video-loja pritet t’i kthehet ekipit të zhvillimit për t’u përmirësuar përpara se të rikthehet në shitje. /Telegrafi/





