Në Gjermani, një pako mesatare me 20 cigare kushton aktualisht rreth 8,05 euro, por kjo mund të ndryshojë pasi Bundestagu votoi për rritjen graduale të taksave mbi duhanin.
Bazuar në përllogaritjet që shoqërojnë legjislacionin e propozuar, çmimet për një pako standarde cigaresh pritet të rriten në 8,77 euro nga viti 2027, 9,56 euro nga viti 2028, 10,42 euro nga viti 2029 dhe 11,36 euro nga viti 2030.
Madje, disa marka premium cigaresh mund të kushtojnë deri në 14 euro, ndërsa edhe duhani për mbështjellje manuale pritet të bëhet dukshëm më i shtrenjtë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Si rrjedhim, çmimet e cigareve në Gjermani po afrohen gradualisht me ato të vendeve të tjera evropiane, por pritet të mbeten ende më të ulëta se në disa nga tregjet më të shtrenjta të kontinentit, si Irlanda, Franca dhe Holanda.
Siç thekson Euronews, me rritjen e planifikuar, qeveria gjermane synon të sigurojë 12 miliardë euro shtesë gjatë katër viteve të ardhshme.
Kështu, për vitin 2027 priten të ardhura shtesë prej rreth 1,5 miliard eurosh, shifër kjo që pritet të arrijë në 4,5 miliardë euro deri në vitin 2030. Vitin e kaluar, qeveria siguroi 17,6 miliardë euro të ardhura nga taksat mbi duhanin.
Megjithatë, industria e duhanit shpreh dyshime nëse qeveria do të arrijë vërtet të mbledhë shumën që shpreson.
Përfaqësues të industrisë paralajmërojnë se taksat më të larta mund t’i shtyjnë duhanpirësit drejt tregut të zi ose drejt cigareve më të lira nga vende të tjera të BE-së.
Si pasojë, shitësit e ligjshëm të produkteve të duhanit mund të jenë ndër më të prekurit.
Deputeti i CDU-së, Carsten Brodesser, ka kërkuar rritje më të moderuara të taksave, duke argumentuar se rritjet e theksuara mund të çojnë si në uljen e të ardhurave tatimore, ashtu edhe në pasoja negative për tregtinë e ligjshme të duhanit. Megjithatë, propozimi i tij nuk u miratua.
Gjatë një debati në Bundestag, deputeti i SPD-së, Ingo Vogel, theksoi se reforma synon pjesërisht të ndihmojë në ekuilibrimin e buxhetit, por ka gjithashtu një qëllim që lidhet me shëndetin publik: ta bëjë nikotinën më pak tërheqëse.
Sipas mikrocensusit të vitit 2025, rreth 19% e njerëzve të moshës 15 vjeç e lart në Gjermani konsumojnë duhan; rreth 14% e bëjnë këtë rregullisht, ndërsa 5% herë pas here.
Ndërkohë, Qendra Gjermane për Kërkime mbi Kancerin bëri të ditur se, në vitin 2023, rreth 131,000 njerëz humbën jetën nga sëmundje të lidhura me duhanin.
Në këtë drejtim, ekspertët e shëndetësisë i konsiderojnë çmimet më të larta si një mjet efektiv për të inkurajuar njerëzit që ta lënë duhanin.
Të premten, Bundesrati do të votojë mbi ndryshimin e ligjit për taksat mbi duhanin. Duke qenë se aktualisht nuk parashikohen kundërshtime, pritet që rritja e taksave të miratohet. /Telegrafi/






