Kosovari i protestave të Tiranës si hebreu i Andorrës

Nacionale

Arsyet e protestave në Shqipëri janë brenda Shqipërisë. Dhe po revoltohen qytetarët e Shqipërisë. Tendencat për t’i shpallur «kosovarët» dhe «tetovarët» si shkaktarë të protestave janë folklor. I keq. Në parabolën «Hebreu i Andorrës», shkrimtari zviceran Max Frisch rrëfen historinë e një të riu, të cilin bashkëvendësit e konsiderojnë hebre dhe e gjykojnë përmes paragjykimeve […]

Madhësia e shkronjave

Arsyet e protestave në Shqipëri janë brenda Shqipërisë. Dhe po revoltohen qytetarët e Shqipërisë. Tendencat për t’i shpallur «kosovarët» dhe «tetovarët» si shkaktarë të protestave janë folklor. I keq.

Në parabolën «Hebreu i Andorrës», shkrimtari zviceran Max Frisch rrëfen historinë e një të riu, të cilin bashkëvendësit e konsiderojnë hebre dhe e gjykojnë përmes paragjykimeve antisemite. Çdo veprim i tij interpretohet si dëshmi e tipareve që ata ia kanë veshur paraprakisht.

Pas vdekjes së tij në rrethana mizore, zbulohet se ai ishte fëmijë i birësuar i prindërve andorras dhe nuk kishte prejardhje hebraike. Parabola tregon se si paragjykimi mund ta burgosë njeriun në një identitet të sajuar dhe ta shndërrojë përjashtimin në fat(keqësi).

Hebreu i Andorrës i ngjan kosovarit të sajuar të protestave të Tiranës. Kur nisën protestat ose «Revolucioni i Flamingove», në fund të majit, propaganda e pushtetit, e prirë nga vetë krerët e tij, i shënjestroi shërbimet iraniane, greke dhe serbe si organizatore të protestave.

Një deputet i Partisë Socialiste publikoi në rrjetet e tij sociale fotografinë e një veture me targa të Beogradit: Ja, edhe serbët erdhën në Zvërnec për t’i përkrahur këta armiq të brendshëm të Shqipërisë. E vërteta doli shpejt në shesh: ishte korrespondenti i agjencisë Reuters, i cili kishte ardhur aty për të raportuar dhe drejtonte një automjet me targa të Serbisë.

Kur nuk funksionuan akuzat për agjenturat e huaja, sepse tingëllonin si raportet e «Zërit të Popullit» të viteve 1970, fajtori u gjet: ishte kosovari! Madje, edhe më keq, në shumës: kosovarët. Në imagjinatën e pushtetarëve u ndërtua figura e kosovarit si mishërim i një stereotipi.

Ai është rrëmujaxhi që nuk vjen për të pushuar i qetë e për të ngrënë qofte në plazhin e Durrësit, por për t’u përzier në punët e brendshme të Shqipërisë. Kësisoj, faji i hidhej «armikut të jashtëm», ndonëse kësaj radhe ky «armik» është edhe i afërt, flet shqip dhe e konsideron po ashtu Skënderbeun hero. Kosovari i protestave është si «Hebreu i Andorrës» – i shpikur për nevoja politike.

Edhe në valën e protestave të fundit (fatkeqësisht të dhunshme), sërish u detektuan «kosovarët» dhe «tetovarët». Si fajtorë kujdestarë. Këta pizevengë! Një ditë – për këtë të jeni të sigurt – nuk do të flitet më për ta. Por, siç shkruan Max Frisch, «andorranët, sa herë shiheshin në pasqyrë, vërenin me tmerr se vetë ata mbanin tiparet e Judës, secili prej tyre».

Arsyet e protestave në Shqipëri janë brenda Shqipërisë. Dhe po revoltohen qytetarët e Shqipërisë. Tendencat për t’i shpallur «kosovarët» dhe «tetovarët» si shkaktarë të protestave janë folklor. I keq.

Vërtet, në të kaluarën, aty-këtu, ka pasur individë nga Kosova që i kanë përkrahur protestat, edhe duke marrë pjesë në to. Por protestat do të zhvilloheshin edhe pa përkrahjen e tyre. Mllefi buron nga brenda. Revolta është rrjedhojë e pabarazisë shoqërore.

Megjithatë, kosovarët janë fajtorë. Në çdo rast.

Kur në burg shtëpiak ngujohet e ashtuquajtura shefe e shërbimit sekret të Shqipërisë, fajtorë janë kosovarët – sepse edhe ajo e mjera, që nuk dinte të kontrollonte as telefonin e saj, kosovare është, ndonëse e importuar nga Edi Rama.

Në urrejtjen kundër kosovarëve, njerëzit e pushtetit nuk janë konsekuentë. I urrejnë vetëm ata që janë kritikë ndaj pushtetit. Ata që i importojnë vetë, i prezantojnë si gjeni dhe, kur në fund u dalin krejt të marrë, vetëm i mallkojnë, pasi më parë nuk kanë përtuar t’i bekojnë me siguri papnore.

Rruga mes bekimit dhe mallkimit është e shkurtër, por paragjykimi ndaj kosovarit është i përhershëm.

Arsyet e protestave në Tiranë, nëse dikush i ka harruar, janë: qeverisja e dobët, korrupsioni i lartë, degradimi i institucioneve, ndikimi gjithnjë e më i madh i bandave në punët e shtetit, paraja e pistë, pamundësimi i garës së barabartë demokratike, pasurimi vulgar i një shtrese të hollë dhe varfërimi i masave, si dhe arroganca e pushtetit, të cilën çdo qytetar e përjeton si shtypje.

Sigurisht, ka edhe arsye të tjera, por këto mjaftojnë. Mjafton vetëm të thuash: arsye është Ergys Agasi.

Shqiptarët e Kosovës është mirë të jenë vigjilentë, që diçka e tillë të mos ndodhë në Kosovë gjatë katër viteve të ardhshme. Sepse çdo pushtet në Ballkan mund të prodhojë një Ergys Agas. Dhe nja 100 «lepa-brena» mediatike me daulle.

Komentet