Kroacia i vendos tetë kushte Malit të Zi për anëtarësim në BE

Bota

Kroacia u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument me tetë kërkesa që Mali i Zi duhet t’i përmbushë përpara anëtarësimit në BE. Në mesin e tyre janë çështjet e krimeve të luftës, kompensimi për ish-të burgosurit e kampit të Morinjit dhe kthimi i anijes shkollore “Jadran”. Sipas dokumentit të dërguar në Bruksel, […]

Madhësia e shkronjave

Kroacia u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument me tetë kërkesa që Mali i Zi duhet t’i përmbushë përpara anëtarësimit në BE. Në mesin e tyre janë çështjet e krimeve të luftës, kompensimi për ish-të burgosurit e kampit të Morinjit dhe kthimi i anijes shkollore “Jadran”.

Sipas dokumentit të dërguar në Bruksel, Zagrebi vlerëson se përparimi në zgjidhjen e këtyre çështjeve do t’i hapte rrugë mbështetjes së përfundimit të negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi dhe ratifikimit të traktatit të anëtarësimit.

Tetë kërkesat lidhen kryesisht me pasojat e luftërave të viteve 1990 dhe mosmarrëveshjet dypalëshe. Gjashtë prej tyre përfshihen në kapitullin 23 të negociatave, që mbulon gjyqësorin dhe të drejtat themelore, ndërsa dy të tjerat lidhen me kapitullin 31, për politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Një nga kërkesat kryesore është kompensimi për shtetasit kroatë që u mbajtën në kampin e Morinjit në Mal të Zi, ku nga viti 1991 deri më 1992 u burgosën më shumë se 300 civilë dhe robër lufte kroatë. Kroacia kërkon gjithashtu që pllaka përkujtimore në ish-kamp të mbetet përgjithmonë e dukshme, raportojnë mediat.

Zagrebi kërkon edhe ndryshimin e emrit të pishinës komunale në Kotor, që mban emrin e ish-lojtarit të vaterpolit, Zoran Gopçeviq, për të cilin pala kroate pretendon se kishte shërbyer si rojë në kampin e Morinjit.

Kroacia e “kushtëzoi me 2.4 miliardë euro” anëtarësimin e Malit të Zi, reagon presidenti malazez

Në dokument përfshihet edhe kërkesa për bashkëpunim të plotë në zbardhjen e fatit të 14 shtetasve kroatë të zhdukur në fillim të viteve 1990, si dhe përparim në ndjekjen penale të përgjegjësve për krime lufte. Kroacia kërkon gjithashtu zgjidhjen e çështjeve pronësore që prekin familje kroate në Tivat dhe në zonën e Bokës së Kotorrit.

Një tjetër pikë e rëndësishme është kthimi i anijes shkollore “Jadran”, e cila para shpërbërjes së Jugosllavisë ishte e stacionuar në Split, por ndodhej në Mal të Zi për riparime kur shpërtheu lufta në vitin 1991.

Kroacia pretendon se anija i takon asaj në bazë të Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë së vitit 2001. Dokumenti përmend gjithashtu pajisjet ushtarake të ish-Jugosllavisë, për të cilat Zagrebi pretendon se Mali i Zi vazhdon t’i mbajë.

Kërkesa e fundit lidhet me përcaktimin e kufirit tokësor dhe detar mes dy vendeve. Kroacia kërkon që Mali i Zi të konfirmojë respektimin e kufirit të dikurshëm administrativ mes republikave të Kroacisë dhe Malit të Zi, si dhe të vazhdojë dialogun për zgjidhjen e çështjeve të mbetura.

Zagrebi thekson se kërkesat janë të kufizuara dhe të realizueshme, ndërsa zgjidhja e tyre do të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në avancimin e procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/

Komentet