Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur shqetësimin për rrezikun që Kosova të humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke thënë se institucionet qendrore nuk kanë dhënë përgjigjet e nevojshme për përgatitjet e këtij organizimi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka bërë të ditur se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka konfirmuar mungesën e përgjigjeve institucionale dhe se më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata, ndërsa më pas mund të thirret një Asamble e Jashtëzakonshme për të vendosur për të ardhmen e Lojërave.
Sipas Ramës, Prishtina ka përmbushur përgjegjësitë e saj përmes hartimit të Masterplanit, përcaktimit të projekteve dhe lokacioneve, si dhe votimit të tyre në Asamblenë e Kryeqytetit.
Kosova nikoqire e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ – Krasniqi zbulon sa larg jemi me përgatitjet
Ai ka kritikuar Qeverinë qendrore dhe Komitetin Organizativ, duke theksuar se Kosova po rrezikon ta humbasë një mundësi historike për shkak të mungesës së veprimeve institucionale.
“Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!”, ka shkruar Rama, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë dështimi i organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.
Prishtina ishte përzgjedhur nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, një ngjarje e rëndësishme sportive që do të kërkonte investime dhe koordinim të institucioneve për realizimin e projekteve të planifikuara.
Postimi pa ndërhyrje i Përparim Ramës
KOSOVA NË PRAG TË HUMBJES SË “LOJËRAVE MESDHETARE 2030”!
Ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht, sot po konfirmohet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG)!
Prishtina i ka fituar Lojërat Mesdhetare 2030.
Kemi punuar në Masterplan
kemi përcaktuar projektet dhe lokacionet
I kemi votuar në Asamblenë e Kryeqytetit.
Tash, kur është radha e Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit Albin Kurti e ka vendosur vetveten, si asnjë shtet tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike!
Sot, ICMG konfirmon mungesën e përgjigjeve institucionale dhe si rrjedhojë më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme që do të vendosë për të ardhmen e Lojërave.
Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!
/Telegrafi/






