Simptomat e menopauzës po ndikojnë në jetën profesionale të mijëra grave në Zvicër, duke i detyruar disa prej tyre të reduktojnë orarin e punës, të ndryshojnë vendin e punës apo edhe të dalin para kohe në pension.
Ekspertët kërkojnë më shumë mbështetje nga punëdhënësit, përfshirë orare fleksibile dhe një kulturë më të hapur në vendin e punës.
Sipas një raportimi të transmetuesit publik zviceran SRF dhe Aargauer Zeitung rreth dy të tretat e grave të moshës 45 deri në 55 vjeç përjetojnë shqetësime që lidhen me menopauzën, transmeton Telefgrafi.
Simptomat përfshijnë afshe të nxehta, çrregullime të gjumit, ankth, ndryshime të humorit dhe vështirësi në përqendrim.

Pasojat reflektohen drejtpërdrejt edhe në karrierë. Sipas të dhënave të raportuara nga SRF, 21% e grave e reduktojnë ngarkesën e punës për shkak të këtyre shqetësimeve, 16 për qind ndërrojnë vendin e punës, ndërsa 6% dalin para kohe në pension.
Pavarësisht vështirësive, një anketë e shoqatës së personelit Swissstaffing tregon se gratë e kësaj grupmoshe janë ndër punonjëset më besnike, të motivuara dhe të gatshme për të kontribuar në vendin e punës.
Ariane M. Baer nga Swissstaffing thekson se punëdhënësit duhet të investojnë te këto gra, duke marrë parasysh përvojën dhe rëndësinë e tyre në tregun e punës.
Aktualisht, rreth 615 mijë gra të punësuara në Zvicër janë të moshës 45 deri në 55 vjeç dhe mund të preken nga simptomat e menopauzës.
Sipas ekspertëve, një nga masat më të rëndësishme është mundësia për të pasur orare fleksibile dhe modele më të përshtatshme të punës.
Në këtë fazë të jetës, shumë gra vazhdojnë të kujdesen për fëmijët, ndërsa njëkohësisht ndihmojnë edhe prindërit e tyre të moshuar. Kur kësaj ngarkese i shtohen simptomat e menopauzës, kombinimi i përgjegjësive familjare me punën bëhet edhe më i vështirë.
Për këtë arsye, puna nga shtëpia, fillimi më i vonshëm i orarit dhe mundësia për të përshtatur detyrat profesionale mund të ndihmojnë në ruajtjen e tyre në tregun e punës.
Petra Stute, profesoreshë e endokrinologjisë gjinekologjike në Spitalin Universitar të Bernës, thekson se simptomat e menopauzës mund të trajtohen dhe se trajtimi mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës.
Megjithatë, shumë gra hezitojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore ose të flasin hapur për vështirësitë që përjetojnë në punë.
Afshet e nxehta mund të jenë veçanërisht problematike për gratë që punojnë me uniforma të rënda ose në ambiente të nxehta, ndërsa vështirësitë në përqendrim dhe kujtesë mund të krijojnë situata të pakëndshme gjatë takimeve profesionale.
Ekspertët vlerësojnë se një hap i rëndësishëm do të ishte përfshirja e menopauzës në kulturën e kompanive, në mënyrë që punonjëset të mund të flasin për shqetësimet e tyre pa frikën e paragjykimit.
Sipas Jowlle Zingraff, bashkëthemeluese e organizatës The Women Circle, gjithnjë e më shumë kompani po kërkojnë trajnime dhe këshillime për mënyrën se si duhet të mbështesin punonjëset gjatë menopauzës.
Interesi po rritet në sektorë të ndryshëm, përfshirë tregtinë, teknologjinë, konsulencën dhe spitalet.
Ekspertët theksojnë se menopauza nuk duhet të shihet si pengesë për karrierën, por si një fazë natyrore e jetës që kërkon më shumë mirëkuptim dhe përshtatje në ambientin e punës.
Mbështetja e duhur mund t’i ndihmojë gratë të vazhdojnë karrierën, ndërsa punëdhënësit të ruajnë punonjëse me përvojë dhe të motivuara./Telegrafi/





