Keffe D dënohet me 40 vjet burg për orkestrimin e vrasjes së Tupac Shakur

Magazina

Ish-udhëheqësi i bandës, Duane “Keffe D” Davis, është dënuar me 40 vjet burg për organizimin e vrasjes së reperit legjendar Tupac Shakur. Një juri e shpalli Davis fajtor në shtator për një akuzë për vrasje me përdorimin e një arme vdekjeprurëse, lidhur me vdekjen e yllit të repit, i cili u vra në një sulm […]

Madhësia e shkronjave

Ish-udhëheqësi i bandës, Duane “Keffe D” Davis, është dënuar me 40 vjet burg për organizimin e vrasjes së reperit legjendar Tupac Shakur.

Një juri e shpalli Davis fajtor në shtator për një akuzë për vrasje me përdorimin e një arme vdekjeprurëse, lidhur me vdekjen e yllit të repit, i cili u vra në një sulm me armë nga një automjet në lëvizje, më 7 shtator 1996, në Las Vegas. Davis ka deklaruar se do ta apelojë vendimin.

Dënimi i 63-vjeçarit shënon rastin e parë kur dikush shpallet fajtor në këtë çështje të pazbardhur për dekada, e cila për gati 30 vjet ka mbajtur të mbërthyer vëmendjen e fansave të hip-hopit.

Prokurorët argumentuan se, ndonëse Davis nuk e kishte qëlluar vetë reperin, ai kishte qenë organizatori dhe udhëheqësi i grupit që kreu vrasjen. Në librin e tij autobiografik, ai kishte pranuar se kishte siguruar armën e përdorur në krim.

Prova kryesore në këtë çështje ishin deklaratat e vetë Davisit, i cili kishte pranuar vazhdimisht dhe publikisht se ndodhej brenda një makine të bardhë të markës Cadillac, nga e cila u qëlluan plumbat vdekjeprurës.

Në vitin 2008, gjatë një interviste sekrete me policinë, lidhur me vrasjen e reperit tjetër Notorious B.I.G., emri i vërtetë i të cilit ishte Christopher Wallace, Davis kishte rrëfyer rolin e tij në vdekjen e Shakurit. Këtë e kishte bërë në këmbim të një marrëveshjeje që e mbronte nga ndjekja penale. Wallace ishte vrarë me armë zjarri vetëm disa muaj pas Shakurit.

Davis foli më gjerësisht për përfshirjen e tij në vrasjen e Shakurit edhe në librin autobiografik të vitit 2019, Compton Street Legend. Publikimi i librit dhe intervistat e tij në media bënë që çështja të rikthehej në vëmendjen e publikut.