Nordikët arritën në Kanada rreth vitit 1000 dhe e përdorën atë si bazë për të eksploruar …
Nga: Fiona Macdonald / BBC Përkthimi: Telegrafi.com
Kristofor Kolombi [Christopher Columbusi] mund të ketë lundruar përtej oqeanit në vitin 1492 – duke mbërritur në Bahame më 12 tetor 1492, për të qenë të saktë – por, ai nuk ishte evropiani i parë që arriti në atë që sot e njohim si Amerikë. Paraardhësit e tij e kishin bërë këtë pa shumë bujë: pa shpallje mbretërore apo turma që mbushnin rrugët për t’i përshëndetur kur u kthyen. Dhe, ata nuk lundruan drejtpërdrejt përmes Oqeanit të gjerë Atlantik nga njëri kontinent në tjetrin.
Në vend të kësaj, ata arritën atje hap pas hapi, duke përdorur Islandën dhe Grenlandën si pika ndërmjetëse. Eksplorimi i tyre u ritregua, shekuj më vonë, në sagat që i përkisnin më shumë letërsisë epike sesa librave të historisë. Dhe, udhëtimin e tyre të parë drejt tokës amerikane e bënë 500 vjet para Kristofor Kolombit.
Sagat nordike – rrëfime vikinge të hedhura në shkrim nga pasardhësit e tyre – tashmë janë pranuar si vepra që përmbajnë të vërteta të besueshme historike. Në vitin 1966, prezantuesi i BBC-së, Magnus Magnusson e përshkroi Flateyjarbók-un e shekullit XIV, ose Librin e Ishullit të Rrafshët si “një nga dorëshkrimet më të çmuara islandeze që ekzistojnë”. Libri është aq i çmuar, shtoi ai saqë kur në vitin 1893 organizatorët e Panairit Botëror të Çikagos kërkuan ta merrnin hua për kremtimin e vonuar të 400-vjetorit të udhëtimit të Kolombit, “ata ofruan të dërgonin një anije luftarake në Danimarkë për ta marrë dhe një tren të blinduar për ta transportuar përmes Amerikës, si dhe ta siguronin për shumën e një milion dollarëve [libri në atë kohë ruhej në Danimarkë]. Por, edhe kështu, danezët nuk deshën ta merrnin përsipër rrezikun”.
Lexo po ashtu: – Metamorfoza e mitit të gruas nordike – nga gjeneza në Mesjetë
– Ana Komnena për zbarkimin e vikingëve në Durrës: Libri ku “për herë të parë” përmenden shqiptarët!
– Vikingët dhe arbërit!
E, përse amerikanët “dëshironin aq shumë ta merrnin hua”? Sepse libri përmban “rrëfimin për vendbanimin nordik në Grenlandë në shekullin X dhe, edhe më interesant, historinë e zbulimit nordik dhe përpjekjen për kolonizimin e Amerikës së Veriut disa vjet më vonë – pesë shekuj para Kolombit”.
Në vitin 1960, në Lansi Medouz në Njufaundlend të Kanadasë u zbulua një kamp tranziti nordik. Dhe, në vitin 2021, studiuesit, duke përdorur një teknikë të re datimi, zbuluan se vikingët e kishin përdorur këtë vend një mijë vjet më parë. Besohet se ai kishte shërbyer si kamp bazë për eksplorime më në brendësi të Amerikës së Veriut. “Ky është fillimi i një historie të humbur, i shekujve kur evropianët vizituan Amerikën në udhëtime, dëshmitë e të cilave janë shkruar vetëm mbi ujë”, tha Robin Ellis në një episod të vitit 1997 të serisë dokumentare të BBC-së, Timewatch.
Nordikët e kishin zbuluar Islandën rreth vitit 870 dhe Grenlandën 100 vjet më vonë. Që andej, Ishulli Bafin në Kanadanë e sotme ishte vetëm 200 milje larg, përtej Ngushticës së Dejvisit; ata e quanin Hellullend – toka e pllakave të gurit. Sipas sagave, ata ndoqën bregdetin drejt Jugut deri në Labrador, ose Markland – toka e pyjeve – dhe pastaj edhe më në Jug, deri në atë që e quanin Vinland – toka e hardhive. “Sagat nuk i përshkruajnë vetëm këta njerëz duke u ndalur në një vend, por duke u ndalur në disa vende”, ka thënë Emily Lethbridge nga Universiteti i Islandës në Timewatch në vitin 2016. “Dhe, ata qëndruan për disa vite. Kishin një botë krejt të re për të eksploruar”.
Sagat thonë se kolonisti më i famshëm, Eriku i Kuq, mbërriti në Islandë rreth vitit 960, pasi i ati ishte dëbuar nga Norvegjia për vrasje. Në vitin 932, islandezët kishin krijuar një parlament, Althingun. Ai ishte një kuvend në qiell të hapur i gjithë kombit, që mblidhej çdo verë për dy javë për qëllime legjislative dhe gjyqësore – ndërsa zhvillohej në një mjedis të jashtëzakonshëm, brenda një gryke që krijonte një amfiteatër të pazakontë natyror.
“Nuk është vetëm akustika ajo që e bën këtë vend të veçantë”, i tha Lethbridge BBC-së. “Kjo është një vijë e natyrshme çarjeje. Jemi në pikën ku takohen pllakat tektonike të Amerikës së Veriut dhe të Euroazisë”. Evropianët e parë që eksploruan Amerikën e Veriut kishin qëlluar të vendosnin një nga parlamentet e tyre në një luginë çarjeje midis dy kontinenteve.
Në parlament, tha Lethbridge, “dënimet me dëbim nga shoqëria u shqiptoheshin anëtarëve të shoqërisë që kishin shkelur të gjitha rregullat. Mund të shkoje kudo tjetër, por nuk mund të shkelje në Islandë për aq kohë sa zgjaste dënimi me dëbim”.
Althingu e dëboi Erikun e Kuq nga Islanda në vitin 982, pas një mosmarrëveshjeje të dhunshme me një fermer fqinj – dhe, mërgimi i tij hapi një kapitull të jashtëzakonshëm në eksplorimet vikinge. “Eriku i Kuq ishte islandezi i parë që zbuloi Grenlandën dhe më pas krijoi atje një vendbanim të përhershëm”, tha Lethbridge.
Ai themeloi një koloni në Grenlandë që do të zgjaste rreth 500 vjet dhe do të bëhej pikënisja e eksplorimeve nordike të Amerikës së Veriut. “Ishin njerëz të rreziqeve dhe ishin të gatshëm t’u nënshtroheshin sprovave të mëdha fizike”, tha Lethbridge, “si lundrimi me varka të hapura përmes Atlantikut, për të parë se çfarë mund të gjenin”.
Vendbanimi nordik në Grenlandë vazhdoi deri në fillim të shekullit XV, dhe vikingët – të udhëhequr nga djali i Erikut, Lejf Eriksoni – duket se bënë jo vetëm një, por disa udhëtime përmes detit prej andej drejt Amerikës së Veriut.
“Shumica e njerëzve supozojnë se pasi Lejf Eriksoni dhe shokët e tij arritën në Vinland dhe më pas hoqën dorë e u larguan, nuk u dëgjua më asgjë për Botën e Re”, i tha Timewatch-it Robert McGhee, arkeolog në Muzeun Kanadez të Qytetërimit. “Por, nga ana arkeologjike, kemi dëshmi që tregojnë se nordikët bënë të paktën udhëtime të herëpashershme drejt Botës së Re gjatë dy ose tre shekujve pasues”.
“Kemi shumë arsye të forta për të ditur se udhëtimet janë bërë gjatë gjithë Mesjetës përgjatë dy brigjeve që i quajmë Grenlandë dhe Amerikë e Veriut”, i tha Timewatch-it Kirsten Seaver, historiane e lundrimit mesjetar. “Deri në vitin 1480, dimë se ata u përpoqën qëllimisht të lundronin drejt Amerikës së Veriut, ose asaj që e quanin Ishulli i Brazilit. Nuk duhet ta shohim këtë si udhëtimin e tyre të parë, por si përpjekjen e tyre të parë për ta bërë drejtpërdrejt – pa kaluar përmes Grenlandës e cila ishte pika e zakonshme orientuese e lundrimit”.
Seaver përmendi gjithashtu një dokument që linte të kuptohej se vetë Kolombi dinte për udhëtime të tilla. “Në dimrin e viteve 1497-1498, një anglez i quajtur John Day i shkroi Kristofor Kolombit për t’i treguar për udhëtimin e suksesshëm të John Cabotit drejt Amerikës së Veriut në vitin 1497. Dhe, mes shumë gjërave të tjera, ai përmendi si diçka të vetëkuptueshme se, siç e dinte Kolombi, njerëzit nga Bristoli [në Angli] e kishin bërë këtë udhëtim drejt pjesës veriore prej shumë vitesh”.
Pra, në kohën kur Kolombi arriti në brigjet e Bahameve në vitin 1492, vendi të cilin vikingët e quanin Vinland mund të kishte qenë tashmë në vëmendjen e tij. Madje, ekzistojnë teori se Kolombi po përpiqej qëllimisht të shmangte një tokë për të cilën e dinte se veçse ishte zbuluar nga evropianët.
“Kolombi e dinte po aq mirë sa çdo lundërtar sot se, nëse dëshiron të udhëtosh përmes oqeaneve [në Hemisferën Veriore] … ngjitesh drejt Veriut, ku gjerësitë gjeografike janë më të shkurtra, kalon me shpejtësi në anën tjetër dhe pastaj zbret përsëri”, i tha McGhee Timewatch-it. “Në vend të kësaj, Kolombi mori rrugën e gjatë, drejtpërdrejt përmes oqeanit. Ndoshta po përpiqej të shmangte Kanadanë. Ndoshta po përpiqej të shmangte Vinlandin … i cili nuk ishte vendi që kërkonte. Mendoj se synimi i Kolombit ishte ta anashkalonte Amerikën dhe, në këtë mënyrë, të përpiqej të arrinte te pasuritë e Lindjes së Largët”.
Kështu, teksa shumë qytetarë të ShBA-së e shënojnë në çdo tetor Ditën e Kolombit, ata nuk duhet t’i harrojnë të gjitha kalimet e Atlantikut që ndodhën më parë. /Telegrafi/





