Çmenduri në sekondat e fundit, Bashkimi nis me fitore aventurën evropiane

Sport

Bashkimi e ka nisur me fitore aventurën në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup, duke triumfuar në një ndeshje dramatike ndaj Valmiera Glass të Letonisë. Pas tri fitoreve radhazi në Superligën e Kosovës dhe suksesit në Superkupën e Kosovës për herë të parë në histori, prizrenasit vazhduan formën e mirë edhe në garat evropiane. […]

Madhësia e shkronjave

Bashkimi e ka nisur me fitore aventurën në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup, duke triumfuar në një ndeshje dramatike ndaj Valmiera Glass të Letonisë.

Pas tri fitoreve radhazi në Superligën e Kosovës dhe suksesit në Superkupën e Kosovës për herë të parë në histori, prizrenasit vazhduan formën e mirë edhe në garat evropiane.

Në palestrën “Sezai Surroi”, Bashkimi triumfoi me rezultat 79:77, në një ndeshje që u vendos në aksionin e fundit.

Skuadra kosovare e mbylli çerekun e parë me epërsi 27:24, ndërsa Valmiera Glass reagoi në të dytin, të cilin e fitoi 16:13. Bashkimi riktheu kontrollin në çerekun e tretë, duke triumfuar 24:19, ndërsa fundi solli dramën e madhe.

56 sekonda para fundit, Darren Williams barazoi rezultatin në 74:74 për mysafirët. Bashkimi reagoi menjëherë përmes Divine Myles, i cili realizoi një treshe për 77:74.

Adrio Bailey më pas e vodhi topin në aksionin e Valmieras, por skuadra prizrenase nuk arriti ta ruante posedimin. Aminu Mohammed realizoi për tri pikë dhe barazoi rezultatin në 77:77.

Megjithatë, në aksionin e fundit të ndeshjes, Myles mori përgjegjësinë dhe realizoi për dy pikë, duke i dhënë Bashkimit fitoren dramatike 79:77.

Myles ishte shënuesi më i mirë i Bashkimit me 21 pikë, ndërsa paraqitjen më të kompletuar e pati Bailey, i cili regjistroi dyshifror të dyfishtë me 14 pikë, 10 kërcime dhe një asistim.

Jajuan Johnson kontribuoi me 16 pikë në fitoren e prizrenasve. Te Valmiera Glass, më i dalluari ishte Mohammed me 16 pikë, 15 kërcime dhe katër asistime.

Kjo ishte ndeshja e parë e Bashkimit në Grupin F të sezonit të rregullt të FIBA Europe Cup, ku përveç Valmiera Glass garojnë edhe Kalev i Estonisë, Korfezi i Turqisë, Elan Chalon i Francës dhe Manchesteri i Anglisë.

Ndërkohë, në këtë edicion të FIBA Europe Cup garoi edhe Peja, por skuadra pejane nuk arriti të sigurojë një vend në sezonin e rregullt, pasi u eliminua në raundin kualifikues pas dy humbjeve ndaj Dinamo Bukureshtit./Telegrafi/