Arsenali ka konfirmuar zyrtarisht se Mikel Arteta ka nënshkruar kontratë të re afatgjatë me klubin.
Trajneri spanjoll ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me “Topçinjtë”, pasi i udhëhoqi drejt titullit të parë të Ligës Premier pas 22 vjetësh.

Arteta iu bashkua Arsenalit në dhjetor të vitit 2019 dhe që prej atëherë ka qenë në krye të një transformimi të rëndësishëm të skuadrës.
Nën drejtimin e tij, londinezët janë shndërruar në pretendentë të rregullt për trofetë kryesorë.
Sezonin e kaluar, spanjolli arriti ta rikthejë titullin e Ligës Premier në “Emirates Stadium”, duke i dhënë klubit një tjetër shtysë për të synuar suksese edhe më të mëdha në Angli dhe Evropë.
Kontrata e mëparshme e Artetës skadonte në fund të sezonit 2026/27, por marrëveshja e re i garanton vazhdimin e qëndrimit në krye të Arsenalit për një periudhë më të gjatë.
Rinovimi vjen në një moment të rëndësishëm për klubin, i cili synon të mbrojë titullin e kampionit dhe të vazhdojë ambiciet për trofe të rinj në garat evropiane. /Telegrafi/





