Apple po përgatitet që iPhone Duo të ketë një lançim sa më të qetë, duke u siguruar që aplikacionet dhe lojërat të jenë të optimizuara për pajisjen e re që në ditët e para të daljes në treg.
iPhone Duo do të jetë i disponueshëm për porosi paraprake më 16 tetor, ndërsa dërgesat e para për klientët pritet të nisin më 23 tetor. Përpara këtyre datave, Apple u ka kërkuar zhvilluesve të përditësojnë dhe përshtatin aplikacionet e tyre për ekranin dhe veçoritë e reja të telefonit.

Kompania ka publikuar udhëzime të posaçme për zhvilluesit, ndërsa aplikacionet duhet të ndërtohen ose të rikompilohen me Xcode 27.1, versionin e ri të platformës së zhvillimit që Apple tashmë e ka bërë të disponueshëm, transmeton Telegrafi.
Zhvilluesit mund t’i dorëzojnë aplikacionet dhe lojërat përmes App Store Connect. Nëse një aplikacion është ndërtuar ose rikompiluar me Xcode 27.1, në App Store do të shfaqet një distinktiv që tregon se aplikacioni është optimizuar për iPhone Duo.
Apple ka vendosur gjithashtu një kërkesë të re për zhvilluesit. Duke nisur nga prilli i vitit 2027, çdo aplikacion i ri do të duhet të përfshijë të paktën një pamje të aplikacionit të shfaqur në iPhone Duo.
Për t’i ndihmuar zhvilluesit me përshtatjen e aplikacioneve, Apple ka publikuar materiale dhe udhëzime teknike, ndërsa po organizon edhe workshope fizike për iPhone Duo, ku zhvilluesit mund të marrin ndihmë të drejtpërdrejtë për përgatitjen e aplikacioneve.
Në këtë mënyrë, Apple synon që përdoruesit e iPhone Duo të kenë një numër të madh aplikacionesh të përshtatura që në momentin e lansimit, duke shmangur problemet e para të përputhshmërisë me pajisjen e re. /Telegrafi/





