Deklarata e Franco Fodës që konfirmon rritjen e Kosovës, objektivin aktual dhe synimin e madh për vitin 2028

Sport

Kosova e mbylli ciklin e shtatorit dhe tetorit me pesë pikë dhe në pozitën e dytë të Grupit B3, por me një ndjenjë që në futboll shpesh tregon më shumë sesa vetë pikët. Barazimi 1:1 ndaj Austrisë në “Fadil Vokrri” la zhgënjim te Dardanët, pasi fitorja ishte shumë pranë dhe u iku nga duart vetëm […]

Madhësia e shkronjave

Kosova e mbylli ciklin e shtatorit dhe tetorit me pesë pikë dhe në pozitën e dytë të Grupit B3, por me një ndjenjë që në futboll shpesh tregon më shumë sesa vetë pikët.

Barazimi 1:1 ndaj Austrisë në “Fadil Vokrri” la zhgënjim te Dardanët, pasi fitorja ishte shumë pranë dhe u iku nga duart vetëm pesë minuta para fundit. Fisnik Asllani e kishte kaluar Kosovën në epërsi në minutën e 70-të, ndërsa Christoph Lang barazoi në të 85-tën.

Megjithatë, përtej dy pikëve të lëna në fushë në dy ndeshjet ndaj Austrisë, Kosova mund të shohë edhe një tjetër pamje të këtij cikli. Dardanët luajtën ndaj Austrisë si të barabartë në Prishtinë dhe krijuan mundësi për ta mbyllur ndeshjen me fitore.

Prandaj, edhe pse skuadra e përfundoi ciklin me pesë pikë, ekziston bindja se mund të kishte marrë më shumë. Pozita e dytë, megjithatë, ishte pikërisht ajo që Kosova do ta dëshironte para fillimit të ndeshjeve.

Sot, u konfirmua edhe lajmi që, tashmë Kosova zë vendin e 76-të në renditjen e FIFA-s, pozita më e lartë në histori.

Kombëtarja e Kosovës Foto/ Ridvan Slivova

Kjo paraqitje merr edhe më shumë peshë kur shihen problemet me të cilat Kosova hyri në këto ndeshje. Kapiteni Amir Rrahmani u largua nga grumbullimi, duke thënë se disa gjëra nuk po shkonin mirë në Kombëtare, por pa dhënë më shumë detaje. Florent Hadërgjonaj gjithashtu u largua, në rastin e tij për shkak të situatës me përzgjedhësin Franco Foda dhe minutazhit të kufizuar.

Në këtë cikël munguan edhe dy futbollistë të rëndësishëm të futbollit gjerman, Florent Muslija dhe Elvis Rexhbeçaj, për shkak të lëndimeve, ndërsa Donat Rrudhani nuk arriti t’i bashkohej skuadrës pasi u dëmtua në ndeshjen e fundit me klubin.

Ndërkohë, pas ndeshjes së parë ndaj Irlandës, Kosova humbi edhe Albian Hajdarin për shkak të lëndimit.

Nëse kësaj i shtohen edhe pensionimet nga Kombëtarja të Valon Berishës dhe Fidan Alitit, dy lojtarë që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të Kosovës për më shumë se një dekadë, atëherë kuptohet më mirë sfida me të cilën u përball Foda. Përkundër të gjitha këtyre mungesave dhe ndryshimeve, Kosova mori pesë pikë në katër ndeshje dhe vazhdon të jetë në pozitën e dytë.

“Dy vite më parë do të gëzoheshim me këtë barazim”

Ndoshta askush nuk e ka përshkruar më mirë ndryshimin e pritshmërive sesa vetë Franco Foda. Përzgjedhësi gjerman e përdori pikërisht këtë ndeshje për të treguar se sa shumë ka ndryshuar perceptimi për Kosovën.

“Kur mora drejtimin, dy vjet më parë, të luanim me përfaqësuesen e vendit të 23-të në botë dhe të barazonim, do të gëzoheshim shumë. Tani ekipi nuk është i kënaqur me barazim”, ka thënë Foda.

Kjo deklaratë është ndoshta një prej treguesve më të qartë të rritjes së Kosovës. Dikur një barazim ndaj një kundërshtari të rangut të Austrisë do të konsiderohej rezultat i madh. Tani, pasi Kosova ishte në epërsi dhe pati mundësi për ta shënuar edhe golin e dytë, një pikë në shtëpi shihet si dy pikë të humbura.

Foda e ka të qartë se qëllimi afatshkurtër është ruajtja e pozitës së dytë dhe qëndrimi në Ligën B.

“I kemi pesë pikë dhe luajmë në një grup të vështirë. Qëllimi është të qëndrojmë në Ligën B dhe nuk po duket keq gjendja aktuale që t’ia dalim për këtë”, ka theksuar ai.

Aksion i mrekullueshëm i Kosovës, që u mbyll me gol nga Fisnik Asllani Foto/ Ridvan Slivova

Dy ndeshje për ta kthyer pozitën e dytë në realitet

Kosovës i kanë mbetur edhe dy ndeshje për ta mbyllur këtë kampanjë. Më 14 nëntor, Dardanët e presin Izraelin në “Fadil Vokrri”, ndërsa më 17 nëntor udhëtojnë drejt Dublinit për t’u përballur me Irlandën. Aktualisht Austria kryeson me tetë pikë, ndërsa Kosova dhe Irlanda kanë nga pesë dhe Izraeli dy.

Pozita e dytë është plotësisht e arritshme, por nuk do të jetë e lehtë. Kosova fillimisht duhet ta mposhtë Izraelin në shtëpi, ndërsa ndeshja e fundit në Dublin pritet të jetë ajo që mund të përcaktojë shumëçka. Një fitore ndaj Izraelit do t’i jepte Kosovës një avantazh të rëndësishëm përpara sfidës së fundit.

Vendi i tretë garanton qëndrimin në Ligën B, ndërsa pozita e dytë dërgon në play-off për promovim në Ligën A. Austria, në anën tjetër, e ka në dorë vendin e parë dhe promovimin direkt.

Kjo kampanjë ka rëndësi edhe përtej Ligës së Kombeve. Pozita që Kosova do ta zërë në fund të garës do të ndikojë edhe në vendosjen e saj në vazot e shortit për kualifikimet e EURO 2028. Prandaj, dy ndeshjet e nëntorit nuk janë vetëm për ta mbyllur mirë Ligën e Kombeve, por edhe për të ndërtuar një pozicion sa më të favorshëm për hapin e ardhshëm.

Kosova është në moment të mirë, edhe kur lojtarët nuk janë

Paradoksi i kësaj Kosove është se skuadra po kalon një periudhë të mirë, ndonëse një pjesë e lojtarëve të saj nuk janë në momentin më të mirë te klubet. Këtë e ka theksuar vazhdimisht edhe Foda, duke kërkuar më shumë minuta dhe ritëm nga futbollistët e tij.

“Dy ndeshjet e radhës duhet t’i fitojmë për ta siguruar pozitën e dytë. Lojtarët tanë nuk kanë pasur shumë minuta në ekipet e tyre. Na duhet ritëm më i mirë i lojës dhe për këtë duhet që lojtarët të luajnë më shumë në ekipet e tyre”, ka thënë ai.

Kjo është një tjetër shenjë se Kosova ka filluar të krijojë pritshmëri të reja. Me një grup që po rinovohet, me debutime të reja dhe me mungesa të rëndësishme, Dardanët janë ende në garë për pozitën e dytë. Dhe mbi të gjitha, po hyjnë në dy ndeshjet e fundit me bindjen se mund të kërkojnë fitoren, jo thjesht të shmangin humbjen.

Objektivi i madh, megjithatë, mbetet më larg. Foda e ka përsëritur vazhdimisht se synimi është kualifikimi në Kampionatin Evropian 2028.

Para kësaj, Kosova duhet ta mbyllë sa më mirë Ligën e Kombeve. Dy ndeshjet e nëntorit mund të jenë një tjetër hap në atë rrugë. /Telegrafi/