Qytetarët për ndryshimet e Ligjit për Specialen: Të bindur se do të miratohen edhe në lexim të dytë

Nacionale

Gjatë ditës së sotme kanë vazhduar protesta në sheshet e Prishtinës për votimin e Projektligjit për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Projektligji u miratua në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim. Qindra qytetarë ishin […]

Madhësia e shkronjave

Gjatë ditës së sotme kanë vazhduar protesta në sheshet e Prishtinës për votimin e Projektligjit për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Projektligji u miratua në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.

Qindra qytetarë ishin të mbledhur para Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shenjë proteste, duke kërkuar miratimin e ndryshime në Ligjin për Specialen.

Veterani i luftës, Rrahman Ramadani tha se ky projektligj duhet të votohet edhe në leximin e dytë, kurse nuk dha ndonjë koment në lidhje me mospraninë e deputetëve të LDK-së në seancë.

“LDK-ja e ka qëndrimin e vet, për ata nuk e komentojmë. Ishte dashur prej krejt partive shqiptare të votohet, por tash ata i dinë më mirë vetë punët e veta”, tha Ramadani.

Ndërsa për lexim të dytë tha se s’ka dyshime se ligji do të votohet sërish.

“Besoj që do të votohet. Nuk dyshoj që s’ka me u votua në lexim të dytë”, përfundoi ai.

Kurse, qytetari Raip Neziri, tha se e sheh këtë si një hap shumë të mirë, ani pse me vonesë.

“Pe shoh hap të mirë për fillim, po presim, kemi afat edhe pak kohor, ta kqyrim qysh po shkon procedura më tutje”, tha Neziri.

Ai tha se ky është obligim i deputetëve ndaj qytetarëve të Kosovës, obligim që duhet të merret me përgjegjësi.

“Te shohim më vonë qysh po shkon procedura. Duhet të kryhet patjetër, deputetët duhet ta kryejnë obligimin e vet ndaj ligjit ndaj qytetarëve. Po kërkojnë qytetarët, ata duhet të votojnë”, tha Neziri.

Kur u pyet se në rast se nuk votohet në lexim të dytë, ai tha se qytetarët janë aty dhe do të vazhdojnë protestimin.

“Do të protestojmë në mënyrë paqësore, jo në mënyrë të dhunshme… Shtëpi tjetër s’kemi, këtë shtëpi e kemi. Këtu bashkë e kemi krejt, çka të bëhet mirë a keq, bashkë e kemi”, përfundoi ai.

Ende nuk është e qartë nëse projektligji do të procedohet për lexim të dytë gjatë ditës së sotme, ndërsa protestat nga OVL-UÇK vazhdojnë para Kuvendit. /KP/