Bashkëpiloti i një aeroplani të Flydubai, i akuzuar për tentativë rrëmbimi të mjetit gjatë një fluturimi drejt Tel Avivit, dyshohet se kishte planifikuar ta përplaste avionin në aeroportin Ben Gurion ose në një ndërtesë të lartë në Tel Aviv, sipas raportimeve amerikane dhe izraelite.
Sipas këtyre raportimeve, bashkëpiloti nga Omani, i identifikuar nga disa media si Hamam al-Hammami, veproi i vetëm dhe ishte radikalizuar nga ideologjia ekstremiste, transmeton Telegrafi.
Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Hamad al-Shamsi, ka deklaruar se bashkëpiloti tentoi të kryente një “akt terrorist” në fluturimin FZ1073, i cili po udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit të mërkurën e kaluar.
Ai dyshohet se sulmoi kapitenin Smit Machchhar me sëpatën e emergjencës që mbahet në kabinën e pilotëve, duke e plagosur, përpara se të neutralizohej nga pasagjerët. Një anëtar tjetër i ekuipazhit arriti më pas ta ulte avionin në Arabinë Saudite.

Sipas burimeve të cituara nga mediat izraelite, pas sulmit ndaj kapitenit, bashkëpiloti kishte planifikuar të vazhdonte fluturimin normalisht drejt hapësirës ajrore izraelite dhe të merrte lejen për ulje në aeroportin Ben Gurion.
Më pas, ai dyshohet se kishte synuar të përplaste Boeing 737 MAX, me më shumë se 180 persona në bord, në aeroport ose në një ndërtesë të lartë në qendër të Tel Avivit, në një sulm të ngjashëm me atentatet e 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Burimet thonë se ai ka gjasa të ketë vepruar si “ujk i vetmuar”, pa lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë organizatë ekstremiste apo qeveri të huaj.
Sipas raportimeve, gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar gjithashtu se kishte menduar të rrëmbente dhe përplaste një tjetër fluturim drejt Tel Avivit, por kishte hequr dorë pasi kishte kuptuar se një person që njihte ndodhej në bord.
Autoritetet izraelite dhe ato të Emirateve nuk kanë komentuar menjëherë këto pretendime.
Al-Shamsi tha të shtunën se hetimet do të përcaktonin rrethanat e plota të incidentit, motivet dhe çdo lidhje të mundshme, ndërsa rezultatet do të bëhen publike pas përfundimit të hetimit.
Incidenti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje të mëdha mbi procedurat e sigurisë dhe mënyrën se si bashkëpiloti ishte punësuar nga Flydubai dhe ishte lejuar të fluturonte një avion me pasagjerë izraelitë drejt Tel Avivit.
Zyrtarë rajonalë thanë se ai ishte ndaluar më herët të fluturonte nga kompania ajrore kombëtare e Omanit, Oman Air, dhe ishte transferuar në një detyrë administrative për shkak të shqetësimeve mbi pikëpamjet e tij ekstremiste.
Më vonë, ai ishte punësuar nga Flydubai, pasi kishte kaluar kontrollet standarde të sigurisë, të cilat, sipas zyrtarëve, nuk kishin shqyrtuar në mënyrë të veçantë historikun e tij për shenja të mundshme radikalizimi.
Ndërkohë, rregulloret izraelite të aviacionit përcaktojnë se pilotët shtetas të vendeve që nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, si Omani, nuk lejohen të operojnë fluturime drejt vendit.
Sipas zyrtarëve rajonalë të cituar nga Associated Press, autoritetet e Emirateve i kishin dërguar Izraelit një listë me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit përpara nisjes së fluturimit FZ1073.
Agjencia izraelite e sigurisë së brendshme, Shin Bet, tha se Ministria e Transportit ishte përgjegjëse për verifikimin e listave të tilla nga kompanitë ajrore të huaja.
Ministrja e Transportit, Miri Regev, e kundërshtoi këtë version, duke thënë se ministria e saj nuk kishte marrë listat e pasagjerëve dhe ekuipazhit. Sipas saj, mbikëqyrja e sigurisë për fluturimet e kompanive të huaja ishte në kompetencë të Shin Bet dhe shërbimit të inteligjencës së jashtme, Mossad.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të rishikojë “të gjitha aspektet e sigurisë lidhur me aviacionin civil të huaj drejt Izraelit”.
Ndërkohë, autoritetet australiane po hetojnë lidhjet e bashkëpilotit me Australinë. Sipas burimeve të cituara nga mediat lokale, ai kishte studiuar në Australi gjatë viteve 2015–2017. /Telegrafi/





