FBI-ja ka arrestuar në aeroportin ndërkombëtar të Los Angelesit një grua të dyshuar se ka spiunuar për Kinën familjarë të presidentit të Tajvanit, Lai Ching-te, gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara.
Sipas FBI-së, Wanying Zhang, e njohur edhe si Heather, ka mbikëqyrur djalin e presidentit tajvanez dhe familjen e tij në emër të qeverisë kineze.
Zhang, 34 vjeçe, u arrestua me akuzën se ka vepruar si agjente e paregjistruar e Kinës, njoftoi prokurori federal amerikan Bill Essayli. Sipas tij, ajo ka fotografuar dhe filmuar personat që kishte në shënjestër, si dhe u ka dërguar zyrtarëve kinezë informacione për targat e automjeteve.
Ajo u arrestua teksa po largohej nga SHBA-ja për të udhëtuar drejt Kinës. Kombësia e saj nuk është bërë e qartë, ndërsa nuk dihet nëse ka siguruar një avokat që ta përfaqësojë. Zhang pritet të paraqitet të hënën para një gjykate federale në Los Angeles.
Zyra e Presidentit të Tajvanit konfirmoi se të afërm të Lai-t ishin në shënjestër, por nuk specifikoi nëse bëhej fjalë për djalin e tij. Zyrtarët tajvanezë e cilësuan rastin si një shembull të “represionit transnacional”.
Presidenti Lai e dënoi incidentin dhe akuzoi Kinën për shpërfillje të të drejtave të njeriut dhe kufizim të lirive personale, transmeton Telegrafi.
“Tajvani dënon në termat më të fuqishëm akte të tilla barbare, të cilat shpërfillin të drejtat e njeriut dhe sovranitetin kombëtar dhe synojnë të shtypin, kërcënojnë apo edhe dëmtojnë individët që mbrojnë lirinë dhe demokracinë, ose familjet e tyre”, tha zëdhënësja presidenciale Karen Kuo.
Tajvani dhe Kina u ndanë pas luftës civile kineze në vitin 1949, ndërsa Pekini vazhdon ta konsiderojë ishullin pjesë të territorit të tij.
Lai, i cili u zgjodh president në vitin 2024, ka deklaruar se Tajvani dhe Pekini nuk i përkasin njëri-tjetrit dhe se Republika Popullore e Kinës nuk ka të drejtë ta përfaqësojë Tajvanin. Pekini e konsideron Lai-n separatist dhe e ka akuzuar si “shkatërrues të paqes”.
Gjatë mandatit të tij, Lai ka rritur ndjeshëm fokusin te mbrojtja e Tajvanit. Ai ka premtuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga rreth 3 për qind në 5 për qind të PBB-së, si dhe ka mbështetur një buxhet të posaçëm për ndërtimin e sistemit të mbrojtjes ajrore T-Dome. /Telegrafi/






