Politikani i djathtë izraelit Moshe Feiglin ka deklaruar se Izraeli duhej ta kishte lënë Gazën “bosh” pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe ta kishte aneksuar territorin, duke kritikuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për atë që e konsideron si veprim të pamjaftueshëm ushtarak.
Në një intervistë për The Jerusalem Post, Feiglin tha se dëshiron që Gaza të zbrazet nga banorët dhe që territori të bëhet pjesë e shtetit izraelit, transmeton Telegrafi.
“Dua ta shoh Gazën bosh”, tha ai, duke shtuar se do të mbështeste hapjen e kufijve për largimin e banorëve, por jo që ata të vazhdonin të qëndronin në territor.
Feiglin, kryetar i partisë Zehut, po garon në zgjedhjet e tetorit së bashku me ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, dhe Partinë e Sionizmit Fetar. Të dyja partitë kanë arritur marrëveshje për të garuar në një bllok të përbashkët teknik. Feiglin është i dyti në listën e përbashkët dhe do të hyjë në Knesset nëse lista kalon pragun zgjedhor.
Feiglin argumentoi se sulmi i 7 tetorit duhej të ishte shfrytëzuar nga qeveria si mundësi për aneksimin e Gazës dhe marrjen e kontrollit të plotë mbi territorin.
Sipas tij, fëmijët që rriten në Gaza do të vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për Izraelin dhe ai shprehu bindjen se kjo nuk mund të ndryshohet përmes edukimit.
“Do të hapja kufijtë dhe do t’i lija të gjithë të largoheshin, por askush nuk mund të qëndronte. Dhe territori duhet të ishte pjesë e shtetit hebre”, tha Feiglin.
Ai tha se, sipas planit të tij, në Gaza tashmë do të duhej të ishin ndërtuar vendbanime izraelite në zonën e ish-vendbanimeve të Gush Katif dhe një aeroport ndërkombëtar izraelit.
Feiglin pretendoi gjithashtu se një politikë e tillë do t’u dërgonte armiqve të Izraelit mesazhin se çdo sulm ndaj territorit izraelit do të sillte humbjen e territorit nga ku ishte kryer sulmi.
Ai kritikoi qasjen e Netanyahu-t, duke argumentuar se ajo e ka zgjatur konfliktin dhe ka krijuar, sipas tij, nxitje për vazhdimin e luftës.
“Ne nuk po themi të vritet e gjithë Gaza, por mund të hapni kufijtë dhe t’i nxirrni jashtë”, tha ai, duke pretenduar se një veprim i tillë do të pranohej nga komuniteti ndërkombëtar.
Feiglin tha se qeveria izraelite duhej ta kishte parë 7 tetorin si një mundësi për t’i dhënë fund konceptit të Marrëveshjeve të Oslos dhe për të vendosur kontroll të plotë izraelit mbi Gazën.
I pyetur për rritjen e dhunës së kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, Feiglin tha se kundërshton marrjen e ligjit në duart e individëve, por argumentoi se hebrenjtë që jetojnë në atë zonë po mbrohen nga sulmet.
Në planin politik, Feiglin tha se shpreson të shërbejë si ministër i Mbrojtjes në qeverinë e ardhshme dhe u shpreh se e konsideron veten të kualifikuar për këtë post.
Pavarësisht dallimeve me Netanyahu-n, ai tha se do ta mbështeste kryeministrin aktual përballë kandidatëve të tjerë, ndërsa kritikoi ashpër bllokun opozitar dhe veçanërisht kandidatin për kryeministër, Gadi Eisenkot, të cilin e cilësoi si pjesë të së majtës.
Partia Zehut dhe Partia e Sionizmit Fetar janë të pozicionuara në të djathtën e spektrit politik izraelit dhe mbështesin politika të ashpra të sigurisë, përfshirë aneksimin e Bregut Perëndimor dhe Gazës. /Telegrafi/






