Sulmuesi anësor i Austrisë, Patrick Wimmer, ka folur para përballjes me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve, duke u ndalur në veçanti te dy bashkëlojtarët e tij te Hoffenheimi, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani.
Wimmer, i cili i njeh nga afër të dy futbollistët kosovarë, u pyet për përshtypjet që ka krijuar për ta gjatë javëve të fundit në klubin gjerman.
“Po, i kam parë gjatë javëve të fundit te Hoffenheim. Të tre janë djem shumë të mirë dhe lojtarë fantastikë. Mendoj se të tre janë shumë të mirë me topin”, deklaroi Wimmer, duke iu referuar Avdullahut, Asllanit dhe Albian Hajdarit.
Për Wimmerin, lidhja me Fisnik Asllanin është edhe më e hershme. Sulmuesi austriak tregoi se e njeh atë prej kohësh, pasi të dy kanë qenë pjesë e Austrisë së Vjenës.
“Fisnikun e njoh prej pak më gjatë, sepse ai ka luajtur te Austria Vjena dhe gjithashtu kemi qenë në të njëjtin klub”, tregoi ai.
Wimmer foli më gjatë edhe për Leon Avdullahun, duke vlerësuar sidomos mënyrën se si mesfushori kosovar kërkon vazhdimisht të jetë i përfshirë në lojë.
“Mendoj se Leoni, në mesfushë, është një lojtar që gjithmonë kërkon topin. Ai mund të japë pasime shumë të mira dhe gjithashtu di të bëjë presing ndaj kundërshtarit. Mendoj se është e vështirë të luash kundër këtyre lojtarëve”, u shpreh Wimmer.
Në prononcimin e tij, austriaku përmendi edhe Albian Hajdarin, i cili aktualisht është jashtë për shkak të një dëmtimi dhe nuk pritet të jetë në dispozicion për përballjen e radhës.
“Albi, nuk e di… Mendoj se aktualisht është te Hoffenheimi për shkak të një dëmtimi. Ai nuk do të luajë nesër, por edhe lojtarët e tjerë janë shumë të mirë dhe është e vështirë të luash kundër tyre”, shtoi ai.
“Është më mirë që të luajmë bashkë. Tani do të jemi kundërshtarë dhe flasim pak për ndeshjen, por jo shumë”, përfundoi Wimmer./Telegrafi/






