Rivarroset pas 27 vjetësh Adem Beqiri, u zhduk gjatë luftës

Nacionale

Pas 27 vjetësh pritjeje, në fshatin Pantinë të Vushtrrisë është bërë rivarrimi i mbetjeve mortore të Adem (Muhamet) Beqirit, i cili ishte zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ceremonia e rivarrimit u zhvillua të premten, me kërkesë të familjes Beqiri. Adem Beqiri ishte zhdukur më 19 prill […]

Madhësia e shkronjave

Pas 27 vjetësh pritjeje, në fshatin Pantinë të Vushtrrisë është bërë rivarrimi i mbetjeve mortore të Adem (Muhamet) Beqirit, i cili ishte zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ceremonia e rivarrimit u zhvillua të premten, me kërkesë të familjes Beqiri.

Adem Beqiri ishte zhdukur më 19 prill 1999 nga forcat serbe, së bashku me 22 persona të tjerë, gjatë rrugëtimit drejt Malit të Zi. Në mesin e të zhdukurve ishin mjekë, profesorë, arsimtarë dhe veprimtarë, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Mbetjet mortore të Beqirit janë gjetur në një varrezë masive në zonën e Zubin Potokut dhe janë identifikuar përmes analizave të ADN-së. Në të njëjtin proces janë identifikuar edhe mbetjet mortore të bashkudhëtarëve të tij, Idriz Rrecajt dhe Sali Mëziut.

Po ashtu, në Mitrovicë është mbajtur një mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Adem Beqirit. Familjarë, miq, bashkëveprimtarë dhe përfaqësues institucionalë kanë kujtuar angazhimin dhe kontributin e tij.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur ngushëllime për familjen Beqiri dhe ka falënderuar institucionet dhe profesionistët që kontribuuan në gjetjen, identifikimin dhe dorëzimin e mbetjeve mortore.

Komisioni ka bërë të ditur se mbetet i përkushtuar, në bashkërendim me institucionet e tjera, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.