Kurti tregon se çka diskutoi me diplomatët amerikan, britanik dhe gjerman

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevojën për stabilitet institucional. Kurti bëri të ditur se në Zyrën e Kryeministrit ka pritur të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevojën për stabilitet institucional.

Kurti bëri të ditur se në Zyrën e Kryeministrit ka pritur të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, ambasadorin britanik, Jonathan Hargreaves dhe ambasadorin gjerman, Rainer Rudolph.

Sipas Kurtit, të tre diplomatët i kanë përcjellë urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.

Gjatë takimeve është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejshëm të tyre.

Në fokus kanë qenë edhe përparimi demokratik, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe proceset integruese të Kosovës.

“Diskutuam edhe për temat aktuale, me theks nevojën për stabilitet institucional, posaçërisht në rrethanat e krijuara pas 16 shtatorit”, tha Kurti.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë ndaj Kosovës. /Telegrafi/