Për GTA 6 prej vitesh flitet si një prej prezantimeve potencialisht më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit, si për pritshmëritë e mëdha ashtu edhe për investimet në zhvillimin e saj.
Sipas një prej drejtuesve të studios Rockstar Games, synimi është që pothuajse çdo aspekt i vieo-lojës së ardhshme të ngrihet në një nivel të ri.
Aron Garbut, drejtues i zhvillimit dhe një prej drejtuesve të Rockstar, thotë se presioni i madh që shoqëron projektin është shndërruar nga ekipi në motivim shtesë.
Në vend që të bëhen kompromise mes madhësisë së botës, nivelit të detajeve dhe ndërveprimit, Rockstar ka synuar t’i përmirësojë të gjitha këto elemente njëkohësisht.
“Zakonisht bëni kompromis mes shtrirjes dhe detajeve, ose mes detajeve dhe ndërveprimit. Me këtë projekt, ne kemi shkuar në drejtim të kundërt”, tha Garbut për Game Informer.
Sipas tij, Rockstar ka ngritur nivelin e detajeve, shtrirjes, madhësisë, ndërveprimit dhe dendësisë së botës së lojës, gjë që pritet të vërehet në të gjitha aspektet e saj.
GTA 6 pritet të ofrojë një botë të hapur gjigante, mjedise më të detajuara, fizikë më të avancuar dhe një numër më të madh elementesh me të cilat lojtarët mund të ndërveprojnë.
Rockstar deri tani nuk i ka zbuluar të gjitha detajet, por trailerët e publikuar kanë treguar tashmë nivelin e lartë të vëmendjes ndaj detajeve.
Pas këtij projekti qëndrojnë edhe burime të mëdha financiare të kompanisë Take-Two Interactive. Buxheti i saktë i GTA 6 nuk është bërë publik, por loja konsiderohet një prej projekteve më ambicioze në historinë e industrisë së video-lojërave.
Rockstar është e njohur për zhvillimin e lojërave për shumë vite dhe për investimin e madh në botën e lojës, animacione, fizikë dhe detaje. /Telegrafi/






