Mujanoviq: Deklaratat e Putinit janë jehonë e narrativës së Millosheviqit për “Serbinë e Madhe”

Bota

Analisti politik boshnjak Jasmin Mujanoviq ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, duke paralajmëruar për atë që ai e sheh si një rikthim të narrativave të epokës së Slobodan Millosheviqit për të ashtuquajturën “Serbi e Madhe”. Mujanoviq ka thënë se zhvillimet e fundit “duhet të ndezin alarme të mëdha në të […]

Madhësia e shkronjave

Analisti politik boshnjak Jasmin Mujanoviq ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, duke paralajmëruar për atë që ai e sheh si një rikthim të narrativave të epokës së Slobodan Millosheviqit për të ashtuquajturën “Serbi e Madhe”.

Mujanoviq ka thënë se zhvillimet e fundit “duhet të ndezin alarme të mëdha në të gjithë Evropën”, duke e lidhur retorikën e Putinit me narrativat e përdorura gjatë viteve të luftërave në ish-Jugosllavi.

“Ky është Putin që po i bën jehonë në mënyrë eksplicite narrativave të epokës së Millosheviqit për ‘Serbinë e Madhe’, një lloj Anschluss-i me karakteristika serbe”, ka shkruar Mujanoviq.

Sipas tij, deklaratat e presidentit rus vijnë vetëm disa ditë pas takimit të tij të dhjetë me liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, që nga viti 2022.

Mujanoviq e sheh këtë përputhje kohore si veçanërisht shqetësuese, duke e vendosur në kontekstin e tensioneve të vazhdueshme politike në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të përpjekjeve të Dodikut për shkëputjen e Republikës Srpska.

Në analizat e tij të mëhershme, Mujanoviq ka argumentuar se ideja e të ashtuquajturës “Bota Serbe” paraqet një rikthim të konceptit të “Serbisë së Madhe” të viteve 1990. Ai e ka lidhur këtë koncept me përpjekjet për bashkimin politik të territoreve me shumicë serbe në vendet e tjera të Ballkanit.

Deklarata e fundit e Mujanoviqit e vendos kështu Rusinë, Serbinë dhe zhvillimet në Republikën Srpska në të njëjtin kontekst gjeopolitik, duke ngritur pikëpyetje mbi pasojat që mund të ketë retorika për kufijtë dhe rendin politik në Ballkan./Telegrafi.