Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Aleksandar Vuçiqin, duke thënë se shpreson që ai të bëhet kryeministër i Serbisë, në një deklaratë që vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Putin e ka përshkruar udhëheqjen aktuale serbe si të përmbajtur dhe ka lavdëruar gatishmërinë e Beogradit për bashkëpunim me Moskën.
Duke folur për zhvillimet në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Marrëveshjen e Dejtonit, Putin tha se serbët në Evropë janë “një komb i ndarë”, duke e cilësuar këtë si të padrejtë.
“Në samit dikur u formuluan Marrëveshjet e Dejtonit, ndërsa tani askush nuk dëshiron t’i zbatojë ato, kurse në raste të tjera serbëve u imponohen disa zgjidhje.

Serbët janë shndërruar në një komb të ndarë në Evropë, madje të ndarë me forcë. Kjo është e padrejtë. Dhe kjo është e keqe, sepse çdo padrejtësi çon në vështirësi dhe konflikte të caktuara”, tha Putin.
Ai më pas iu referua drejtpërdrejt Vuçiqit, i cili më 27 shtator dha dorëheqje nga posti i presidentit për t’i hapur rrugë kandidimit të tij për kryeministër në zgjedhjet e 25 tetorit.
“Por udhëheqja aktuale e Serbisë dhe presidenti i deritanishëm, ndërsa në të ardhmen, shpresoj, edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, ndjek një politikë të përmbajtur, tregon gatishmëri për bashkëpunim me Rusinë dhe ne, pa dyshim, e mirëpresim këtë dhe do t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha Putin.
Deklaratat e presidentit rus kanë nxitur reagime të forta nga analistë që ndjekin zhvillimet në Serbi dhe rolin e Moskës në Ballkan.
Analistja amerikane Ivana Stradner ka thënë se “Putin nuk po e fsheh bastin e tij te Vuçiqi”, duke iu referuar mbështetjes së hapur të presidentit rus për rikthimin e Vuçiqit në postin e kryeministrit.
Lidhur me zgjedhjet e 25 tetorit, ajo ka shkruar se shërbimi rus i inteligjencës, FSB, po përgatit atë që e ka quajtur “ferr” për Serbinë më 25 tetor dhe se Moskë i ka dhënë Vuçiqit një “paketë për ruajtjen e regjimit”.
“Shërbimet ruse dhe serbe po bashkëpunojnë dhe se Rusia mund të ndërhyjë në procesin zgjedhor në Serbi”.
Paralelisht, analisti Jasmin Mujanoviq ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Putinit duke paralajmëruar për atë që ai e sheh si rikthim të narrativave të epokës së Slobodan Millosheviqit.
“Mund të jenë kambana të mëdha alarmi në të gjithë Evropën”, ka shkruar Mujanoviq, duke argumentuar se Putin po i bën jehonë hapur narrativave të “Serbisë së Madhe” të epokës së Millosheviqit.
Mujanoviq e ka krahasuar këtë retorikë me “Anschluss me karakteristika serbe” dhe ka vënë në dukje se deklaratat e Putinit vijnë vetëm pak ditë pas takimit të tij me liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.
Putin u takua më 29 shtator në Kremlin me Dodikun dhe kryeministrin e Republikës Srpska, Savo Miniqin, ku shprehu mbështetje për koalicionin qeverisës në Republikën Srpska dhe foli për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Kështu, në ditët e fundit janë shfaqur një varg deklaratash dhe zhvillimesh që e vendosin Moskën në mënyrë të drejtpërdrejtë në debatin politik serb, nga mbështetja publike e Putinit për Vuçiqin si kryeministër të ardhshëm, te takimi me Dodikun dhe pretendimet e Stradnerit për rolin e shërbimeve ruse në periudhën zgjedhore.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi janë caktuar për 25 tetor, ndërsa dorëheqja e Vuçiqit nga presidenca i ka hapur rrugën rikthimit të tij të mundshëm në krye të qeverisë./Telegrafi/





