Ky është momenti kur një police ndiqet dhe më pas rrëzohet përtokë me shkelma nga një grup të rinjsh protestues të dhunshëm, mes përshkallëzimit të protestave studentore në të gjithë Francën.
Ajo që nisi si një demonstratë kryesisht paqësore kundër gjendjes së arsimit, degjeneroi në kaos të dhunshëm, me gati 2,000 të rinj të arrestuar të enjten.
Protestat filluan të hënën e kaluar, kur studentët dhe stafi mësimdhënës dolën në rrugët e qyteteve franceze për të kërkuar zëvendësimin e mësuesve që mungonin, shtimin e burimeve arsimore, rinovimin e shkollave dhe kushte “të denja” për mësim, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Parisi dhe Marseja përjetuan dhunën më të madhe të enjten, ku një grup mësuesish u “sulmuan dhe u spërkatën me benzinë” në gjimnazin “Victor Hugo”.

Ndërsa trazirat mbarëkombëtare u intensifikuan këtë javë, dhjetëra video të dhunshme u publikuan në internet, shumë prej të cilave të filmuara nga vetë protestuesit.
Dhe një video tregonte një police të vetme që ndiqej nëpër rrugët e qytetit dhe më pas rrëzohej përtokë nga një grup të rinjsh.
Pamjet e verifikuara – të filmuara në periferi të Parisit – përfunduan papritur ndërsa policja, e cila mbante në dorë një kapsulë gazi lotsjellës, qëndronte e shtrirë përtokë.
Ajo goditet me shkelm një herë, përpara se personi që po filmonte të largohej.
Ata e shoqëruan videon me mbishkrimin “policja u rrëzua” dhe me emoji që shprehin të qeshura të forta.
“Situata është katastrofike”, shkroi një shikues. “Askush nuk duhet ta tolerojë këtë”.
Këto qëndrime u mbështetën edhe nga ish-udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë francez “Rassemblement National”, politikania dhe avokatja Marine Le Pen.
Ajo shkroi në platformën X: “Imazhi i kësaj policeje të re, e ndjekur nga një turmë e egërsuar që shpreh urrejtjen e saj, e rrëzuar përtokë dhe e sulmuar, është i padurueshëm”.
“Këto veprime meritojnë dënime. Ajo duhet ta dijë se sonte, miliona francezë i ofrojnë mbështetjen e tyre të ngrohtë”.
Ministri i Brendshëm Laurent Nunez bëri të ditur se vetëm të enjten u arrestuan 1.949 persona – shumica e të cilëve të moshës 15 deri në 18 vjeç – të cilët u ndaluan për shkelje të ndryshme që cenojnë rendin publik.
Ai dënoi “shënjestrimin e forcave të rendit, hedhjen e sendeve, aktet e dhunës, fyerjet verbale, tentativat për zjarrvënie dhe dhunën e përgjithshme urbane”.
Të paktën 305 oficerë policie dhe pjesëtarë të forcave të armatosura kanë mbetur të lënduar. /Telegrafi/





